>
BIOSHQIP

Padi Kundër Partisë Së Fortë Për Shkelje Të Të Drejtave Të Autorit

31-10-2013
Partia e Fortë mund të përballet me padi për shkelje të të drejtave të autorit. Kjo parti po përdor në fushatë këngën “Do të bëhemi milionerë”, të kënduar shumë vite më parë nga këngëtarja Adelina Ismajli, kur ajo ishte fëmijë. Si raporton KTV-ja, nuk është këngëtarja ajo që po e akuzon Partinë e Fortë, por është autori i tekstit, Sefedin Xhafolli ai që është shumë i indinjuar pse vepra e tij u përdor pa autorizim. Partia e Fortë ka thënë se është befasuar nga reagimi i autorit, ngase nuk e kishte pritur një gjë të tillë. Por, si u njoftua në emisionin Express, edhe pas takimit të autorit me përfaqësues të kësaj partie sot, nuk u arrit marrëveshje. Këta të fundit thonë se nuk ekziston arsye për padi, ngase ata i kanë respektuar të drejtat që i cakton ligji për të drejtën e autorit. Poezinë “Do të bëhemi milionerë” Xhafolli e kishte shkruar në vitin 1984, ndërsa këngëtarja Adelina Ismajli e kishte kënduar këngën në vitin 1988, në Akordet e Kosovës (natën për fëmijë), ku edhe u shpërblye me çmimin si kënga më e mirë me tekstin më të mirë. Autor i kompozimit të kësaj kënge ishte Naim Krasniqi, i cili nuk e kundërshton Partinë e Fortë për huazimin e këngës në videospotin zgjedhor.