>
BIOSHQIP

Gillespie, Gati Per Turneun Ballkanik

30-03-2012
Për njëmbëdhjetë ditë do të mbajnë nëntë koncerte në vende të ndryshme të Ballkanit. Rock grupi prishtinas "Gillespie" do të dalë për herë të parë në një turne ballkanik, që do të prekë shtetet e rajonit, Shqipërinë, Kroacinë dhe Slloveninë. Në secilin qytet ata do të performojnë në shqip për rreth dy orë. Koncertin e parë ata do ta mbajnë në Tiranë më 4 prill, pastaj në Shibenik të Kroacisë më 6 prill, për të udhëtuar menjëherë të nesërmen drejt Kninit, të po këtij shteti. Më 8 prill nikoqir i katërshes "Gillespie" do të jetë qyteti Murska Sobota i Sllovenisë, e dy ditë më vonë ata do t'i presë edhe Kranj. Më 11 prill grupi do të performojë në kryeqytetin e Sllovenisë, Lubjanë, ndërsa një ditë më vonë në kryeqytetin kroat, Zagreb. Ata do të kthehen sërish në Slloveni, në qytetin Skofia Loka në koncertin e 13 prillit, teksa fund do t'i japin me koncertin e 14 prillit që do ta mbajnë në Rijekë të Kroacisë. "Ka shumë rëndësi për skenën urbane të Prishtinës për shkak se është turneu i parë ballkanik që ndodh nga një grup yni dhe është një mundësi që t'u tregojmë këtyre vendeve që çka ndodh në skenën tonë urbane", ka thënë për "Koha Ditore" bas-kitaristi i bendit, Isah Mustafa. Sipas tij, kjo do të ketë edhe një tjetër efekt. "Në të njëjtën kohë kjo do të na ndihmojë të vëmë kontakte të reja, nga të cilat besojmë se do të dalin bashkëpunime të reja, përfshirë edhe bende tjera nga vende të ndryshme të rajonit", ka thënë Mustafa. "Gillespie" vitin e kaluar kishte organizuar një turne dyditor nëpër fshatra, kryesisht të rrafshit të Kosovës. Me një kamion ata qenë ndalur në shumë fshatra, si pjesë e kampanjës për mbrojtje të ambientit.
(Telegrafi)

Gillespie, Gati Per Turneun Ballkanik