>
BIOSHQIP

Anaid: Së Shpejti Publikoj Videoklipin E Këngës “Zemrën Ta Du”

07-11-2015
Anaid, këngëtari i ri & i talentuar vjen ekskluzivisht në një intervistë për teksteshqip.com. Ai ka lansuar së fundmi këngën e tij më të re me titull "Zemrën ta du" e cila është pjesmarrëse edhe në Kënga Magjike. Në këtë intervistë ai na flet më shumë rreth detajeve të këngës si dhe pritshmëritë e festivalit... TeksteShqip: Anaid, keni publikuar së fundmi këngën tuaj më të re "Zemren ta du". Na flisni pak më shumë rreth projektit? Anaid: Kënga është perfunduar në verë dhe ishte planifikuar të publikohej në fillim të gushtit, por duke qenë se u afrua "Kënga Magjike" mendova ta prezantoj aty. Kënga është orkestruar nga Joniad Banushi me të cilin kam punuar dhe këngën e parafundit "Vetëm". Teksti është shkruar nga unë dhe Gerard Merdani. TeksteShqip: Përse vendosët të merrni pjesë në "Kënga Magjike"? Anaid: Festivali "Kënga Magjike" ka audiencën më të madhe kundrejt çdo kompeticioni tjetër që egziston për momentin në Shqipëri. Kjo është një mënyrë e mirë për tu promovuar aty.



TeksteShqip: Çfarë prisni nga ky festival? Anaid: Sigurisht që pritjet janë të mëdha. Do kisha shumë dëshirë që të merrja pjesë edhe në fazat pasardhëse për vetë faktin që këndohet live dhe për mua do jetë hera e parë që prezantohem duke kënduar live. TeksteShqip: Anaid, ju jetoni në Tiranë. Merreni me diç tjetër përveq muzikës? Anaid: Po, unë jetoj në Tiranë prej vitesh. Këtu po mundohem të krijoj karrierën time si këngëtar. Ndërkohë punoj dhe kam një jetë si qytetar normal. Nëse s'do të kisha një punë nuk do të përballoja dot as shpenzimet për jetesën dhe as shpenzimet që kam për këngët apo veshjet. Fatkeqsisht në Shqipëri nuk egziston një treg i mirëfilltë muzikor që të na sigurojë të ardhura për këngët apo videoklipet që publikojmë kështu që unë jam i detyruar të punoj për një periudhë të gjatë diku 10-12 orë në ditë për të paguar këngët dhe videoklipet e mia. Uroj që në një të ardhme të afërt të më shpërblehet kjo sakrificë.



TeksteShqip: A angazhoheni me koncerte? Anaid: Për momentin jo. Artistët e rinj e kanë shumë të vështirë të depërtojnë në tregun muzikor me koncerte apo evenimente të tjera dhe për këtë më vjen shumë keq. TeksteShqip: Cilën nga këngët e tua preferon më shumë? Anaid: Deri më tani kam publikuar 4 këngë. I dua të gjitha këngët sepse asnjëra nuk ngjason me tjetrën për nga rryma muzikore. Mbase do veçoja pak këngën e fundit "Zemrën ta du" vetëm për faktin që kam punuar vetë tekstin. TeksteShqip: Na fol pak për jetën private? Anaid: Mund të them vetëm që jam ende në pritje për "dashurinë e vërtetë".



TeksteShqip: Ç'mendim keni për albumet? Anaid: Piratëria në youtube ka arritur kulmet e saj kështu që në ditët e sotme është e kotë të publikosh albume pasi nuk do të shitenin. Çdo kush mund të dëgjojë apo shkarkojë këngët nëpërmjet youtube. TeksteShqip: Anaid, flm që ishe në këtë intervistë. Për fund dëshiron të shtosh diçka...? Anaid: Ju falenderoj juve për ftesën në këtë intervistë. Përfitoj nga rasti t'ju njoftoj që shumë shpejt publikohet dhe videoklipi i këngës "Zemrën ta du". Shpresoj të mirëpritet nga publiku!
(B.A/Teksteshqip.Com)

Anaid: Së Shpejti Publikoj Videoklipin E Këngës “Zemrën Ta Du”