>
BIOSHQIP

Valza Bajra (Vali), E Diplomuar Për Aktrim Në Çikago

07-12-2012
Valza Bajra, një emër mjaft dominant në skenën muzikore, dhe tani edhe në atë të aktrimit, mbase tani sapo ka diplomuar në fushën e aktrimit në Çikago. Gjatë periudhës së qëndrimit të saj atje, Valëza ka qenë pjesë e disa projekteve artistike me të cilat thotë se është ndarë mjaft e kënaqur. Ajo tani është mjaft e përqendruar në aktrim, por kënga është pasioni i saj nga i cili nuk do të ndahet kurrë. Më shumë për punën dhe jetën flet për "Zërin". Sapo keni diplomuar në fushën e aktrimit, çfarë ju ka sjellë kjo përvojë e studimeve? Tani u bë një kohë e gjatë që po jetoj dhe studioj në Çikago. Fatmirësisht arrita edhe të diplomohem në fushën e aktrimit, gjegjësisht në aktrimin spanjoll në universitetin "Taller Actoral tu Escenario". Jo rastësisht kam zgjedhur këtë drejtim të aktrimit për faktin se kam talent në aktrimin spanjoll dhe tani jam më se e lumtur që arrita të diplomohem brenda një periudhe të shkurtër. Këto studime më kanë ndihmuar mjaft shumë, kam përfituar një përvojë të mirë dhe me anë të tyre rrugët e aktrimit do t'i kem të hapura kudo. Falë punës dhe angazhimit të vazhdueshëm arrita t'ia dal mbanë. Gjatë kësaj periudhe të studimeve keni performuar në disa projekte? Gjatë kësaj kohe kam qenë e angazhuar me disa projekte filmike të metrazhit të shkurtër. Tani jam e angazhuar edhe në një projekt tjetër, ku do të kem rolin kryesor. Nuk mund të flas shumë rreth kësaj për shkak se ende jemi në fazën e punës dhe sapo të jetë çdo gjë gati, atëherë do të dalë në opinion me shumë risi. E keni menduar veten në serialet spanjolle, nëse po a do të tentoni të depërtonit në skenën e aktrimit spanjoll? Në realitet gjuha spanjolle dhe aktrimi spanjoll më pëlqen mjaft shumë, dhe në fakt edhe serialet spanjolle më pëlqejnë, të them të drejtën gjuhën spanjolle e kam mësuar falë serialeve. Dhe natyrisht meqë kam studiuar në këtë fushë të aktrimit, besoj se do të jem pjesë e ndonjë projekti filmik në Spanjë. Synimet e mia do të mundohem t'i përmbush gradualisht. Sa po të mungon Kosova? Sa herë që ndodhem larg vendit ndiej mall për Kosovën. Kosova është vendi im pa të cilin nuk mund të jetoj. Të ardhmen time të ndritur e shoh në Kosovën time. Suksesin në aktrim jeni duke e arritur mjaft shumë, por sa i përket këngës, çfarë ke ndërmarrë? Këngën e kam pasion apo hobi pa të cilën nuk mund të jetoj. Edhe pse tani e kam lënë pak anash, mirëpo unë njëkohësisht jam duke përfituar edhe një profesion tjetër të dytë dhe do të vazhdoj me të dy paralel. Sikurse aktrimi ashtu edhe kënga janë profesionet që i dua dhe nuk do t'i braktis kurrë. Ke në plan ndonjë projekt të ri muzikor? Sapo të kem mundësinë e parë do të sjell diçka të re tek adhuruesit e mi. Në realitet tani jam në bisedime e sipër për të realizuar një projekt të ri muzikor dhe këtë projekt kam menduar ta përgatis në Kosovë. Besoj se në festat e fundvitit adhuruesit e mi do të kenë në duar këngën dhe videoklipin e ri. Jeta private e Valzës? Jeta private vazhdon të jetë e njëjta, nuk ka ndryshime për momentin. Tani jam e përqendruar më shumë rreth karrierës, por nëse ndodh diçka e re në jetën private, nuk do të hezitoj të tregoj publikisht.
(K. Bajrami / zeri)

Valza Bajra (Vali), E Diplomuar Për Aktrim Në Çikago