>
BIOSHQIP

Valza Bajra (Vali): Ëndrroj Një Rol Në Telenovelat Latine

22-07-2012
Është rikthyer për një kohë të shkurtër në Kosovë dhe disa ditë pushimi në Shqipëri, duke lënë mënjanë studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë këtyre ditëve të pushimit, këngëtarja Valza Bajra ka realizuar edhe një fotosesion shumë të nxehtë, ndërsa sot vjen në këtë intervistë për "Bluetooth" duke treguar planet e saj. Vajza bukuroshe mes rreshtave që do të pasojnë thekson me shumë bindje se fjalët që thotë nuk janë premtime boshe, si ato që japin shumë personazhe të njohur shqiptarë, të cilët njësoj si ajo synojnë një karrierë ndërkombëtare. Valza është duke vazhduar studimet për aktrim, ndërsa që në fillim na thotë se: 'Ëndrra ime është të aktroj në telenovelat latino-amerikane'. E ke menduar ndonjëherë kur ke qenë e vogël se çfarë do të punoje kur të rriteshe? Derisa jetën time e mendova dhe e fokusova në karrierën muzikore me përpiktmëri punoja dhe nuk kisha të ndalur, nganjëherë nuk e dija se a është ditë apo natë, kështu ishte ai profesioni që mendoja se do ta kisha për tërë jetën. Krahas muzikës ke dashur të sfidosh veten dhe në një tjetër fushë? Unë e quaj veten me shumë fat që jam kureshtare e pafund dhe e palodhur, doja të provoja edhe diçka tjetër krahas muzikës, e ndieja që e kisha të fshehur diku, në brendinë time edhe një talent tjetër, pa ndalur shpalosja karaktere të ndryshme aktrimi, dhe i thoja vetes se duhet bërë diçka. Kështu vendose të jetosh në Shtetet e Bashkuara, kush të ndihmoi në realizimin e ëndrrës për aktore? Për një kohë të shkurtër vendosa që të ikja për pushime në Shtetet e Bashkuara tek disa familjarë dhe pse jo të shijoja pak edhe jetën pa brenga dhe obligime në muzikë. Fati e deshi dhe një mik i gjithë shqiptarisë më drejtoi që të jem pjesë e një shkolle në USA, Akademi e Arteve, por nuk është e ndarë akoma si degë e saktë. Gjete shkollën, konkurrove dhe më pas çfarë ndodhi? Kur mora lajmin që pas konkurrimit unë u pranova në atë shkollë, fluturoja nga gëzimi. Në Akademi është shumë e vështirë të pranohet një studente vendase, e lëre më unë që nuk e mendoja, por falë gjuhës spanjolle që unë e kam mësuar dhe pothuajse tërë jetën time e kam ditur, ia dola. Gjuha, më është bërë përgjigje shumë e mirë si për jetën atje, ashtu edhe për shkollimin që jam duke bërë. Nuk ka shkuar shumë gjatë dhe u ktheve në Kosovë, të mungon familja apo…? U bënë gjashtë muaj që unë vazhdoj atë shkollë, ndaj vendosa që pushimet e verës t'i kaloj në Kosovë dhe Shqipëri, po i quaj pushime pasi jam në pushime me shkollën sepse po punoj edhe këtu. Pushimet po mundohem t'i ndaj me familjen, pastaj muzikë. Por më duhet të mendoj edhe si të argëtohem se të them të drejtën më mungon shumë ajo kohë. Atje po zhvillon një jetë më dinamike, si është të jetosh larg vendlindjes? Padyshim që atje po zhvilloj një jetë shumë të mirë dinamike dhe edukative, por ama nuk e mohoj dot që edhe vendi im po më mungon shumë, për çdo pëllëmbë të këtij vendi më merr malli. Shumë emra të njohur të skenës vetëm premtojnë dhe asgjë nuk realizojnë, çfarë do na thotë Valza në këtë drejtim rreth punëve që je duke bërë atje? Nuk dua të them gjëra që akoma janë duke u gatuar dhe duhet akoma shumë kohë për t'u pjekur, por një gjë me shumë vendosmëri mund ta them, që nuk do të ndalem në asnjë moment dhe nuk do të dorëzohem para asgjëje, me shumë shpresë për gjithë shqiptarët dhe ata që lexojnë këtë intervistë e them që këto nuk janë vetëm fjalë, por punë. Blerand Rexhepi
(Bluetooth)

Valza Bajra (Vali): Ëndrroj Një Rol Në Telenovelat Latine