>
BIOSHQIP

Valon Buquku Shpërblehet Në Çelësin Muzikor 8

21-05-2014
Muzika e ka shoqëruar kudo, ai e ka dashur që nga fëmijëria atë. Ky është artisti i ri i cili sapo ka rrëmbyer në festivalin ‘Celësi Muzikor 8’ me këngën "Ike, ike" çmimin "Best New Artist", Valon Buquku i cili për ne tregon kështu për këtë çmim: "Organizatorët e këtij spektakli i falenderoj për mundësinë që më dhanë të marr pjesë, ndërsa për çmimin "Best New Artist", falënderoj jurinë profesionale që shpagoi angazhimin tim". Artisti na tregon se ka qenë familja e tij që i ka uruar e para, pasi është ajo që e përkrah gjithmonë në çdo sferë të jetës edhe në muzikën që ai bën, ndërsa do të jetë befasi nëse kënga e këtij festivali do të ketë një videoklip. Ne mësojmë se Valoni është nga Peja, nga ky qytet që gjithmonë muzikës shqiptare i ka dhënë zëra dhe emra të mëdhenj, e kur ne ia krahasojmë zërin e tij me të Danit ai ka këtë reagim : "Hahaha, po ok, faleminderit për këtë që po e thoni ju. Mendoj se Dani është një kalibër i lartë këngëtari, mendoj se çdokush e dëshiron suksesin e Danit, mirëpo edhe ne si të rinjë, punojmë ta ndjekim rrugën e tij, por jo vetëm me imitime por edhe me punë e me përkushtim". Këngëtari po mendon edhe për duete, por kjo do të ndodhë ndoshta në të ardhmen pse jo në duet me një femër artiste, ndërsa këngëtarët që Valoni dëgjon si të preferuar janë: Dani, Sunaj Saraqi, Yllka Kuqi dhe të tjerë. Artisti me një zë të veçantë na tregon se këndon edhe nëpër dasmat që për të është nder që dikush ia beson zërit të tij një dasëm, pasi për të muzika kudo që kërkohet dhe kudo që një këngëtar preferohet duhet të bëjë punën e vetë. Kur ne e pyesim nëse muzikën e ka vetëm hobi, apo edhe profesion Valoni na e rrëfen kështu: "Po, të jetosh nga muzika nuk është e lehtë, fati im i mirë është që unë bëjë edhe punë tjetër bashkë me familjen time në Pejë. Muzika për mua është një hobi për të cilin punoj me përkushtim profesional për aq sa arrij. Po ta kisha vetëm hobi thjeshtë atëherë ndoshta nuk do të përkushtohesha kaq shumë sa i përkushtohem". Në fund artisti na tregon se nuk dëshiron të flasë shumë për projektet e ardhshme, por se do të ketë shumë bashkëpunime gjatë verës që po vjen duke sjellë nga ana e tij shumë të reja në muzikë, ndërsa dëshiron të përshëndesë të gjithë ata që e duan këngën e tij, që duan muzikën shqiptare dhe që e duan artin. Ky ishte Valon Buquku një zë i ri por shumë i vecantë që i është bashkuar tregut muzikor shqiptar por duke nisur bukur edhe me cmimi nëpër festivale.
(Maksim Gjokaj/teksteshqip.com)

Valon Buquku Shpërblehet Në Çelësin Muzikor 8