>
BIOSHQIP

Valentina Dedvukaj Spaho, Gjashte Yje Ne Trup

08-02-2012
Ka vetëm pak kohë që ka sjellë një video shumë të bukur me titull "Ti nuk më besove" dhe besoni ju apo jo, se personazhi në intervistën tonë, Valentina Dedvukaj është njëra prej këngëtareve më të bukura shqiptare. Jeton në Amerikë, por i mungon shumë vendlindja, Malësia, por stili që pëlqen ajo e ka gjetur në tokën e premtuar. Nuk i vjen keq që ende e quajnë motra e këngëtares së madhe Gjyste Vulaj, pasi siç thotë Valentina, sikur të mos e kishte atë, nuk do të ishte kjo që është. Megjithëse ka fituar tashmë në statusin e saj si e martuar një tjetër mbiemër, atë Spaho, por ne e thërrasim këngëtaren me mbiemrin e vajzërisë, Valentina Dedvukaj, e cila nga Nju-Jorku i largët rrëfehet për gazetën tonë. "Kosova Sot": Si është këto ditë Valentina? Valentina Dedvukaj: Shumë mirë, pa ankesa. "Kosova Sot": Kemi parë një foto me tatuazh në kurriz, ka ndonjë domethënie dhe sa tatuazhe keni në trup? Valentina Dedvukaj: Kam katër tatuazhe, e fundit është ajo që e bëra para ca ditësh, jemi gjashtë fëmijë në familje dhe vura gjashtë yje. "Kosova Sot": Ju mungon Malësia? Valentina Dedvukaj: Po shumë, më mungon familja dhe gjithë të dashuritë që kam atje. "Kosova Sot": Çfarë ka të bukur Amerika që ju bën të jetoni atje? Valentina Dedvukaj: I ka edhe të bukurat, por edhe të këqijat, këtu kam krijuar një stil jetë që më konvenon mua. "Kosova Sot": Jeni martuar para dy viteve, ndonjë fëmijë në plan? Valentina Dedvukaj: Po, ta shohim çfarë të dojë Zoti, bashkëshorti im është shumë gati për një fëmijë, për veten nuk e di, jam shumë e komplikuar sa i përket kësaj, ndoshta pak frikacake! Por, nuk do të shkoj gjatë. "Kosova Sot": Ju vjen keq, kur ende ju lakojnë si motra e Gjyste Vulajt, kur mediet flasin për ju? Valentina Dedvukaj: Jo asnjëherë, motra e saj jam (qesh) dhe jam shumë krenare, jemi shumë të afërta dhe sikur mos të kisha atë dhe Sokolin, ndoshta nuk do të isha këtu ku jam. "Kosova Sot": Si u prit kënga e re, ka pasur ndonjë koment videoja e re? Valentina Dedvukaj: Është pritur shumë mirë dhe jam shumë e kënaqur me punën që kam bërë. Unë jam munduar ta jap maksimumin dhe Sokoli dhe Gjystja kanë bërë një punë të mrekullueshme. Sa i përket videos, nga komentet që kam marrë nga fansat, ajo është pëlqyer shumë. "Kosova Sot": Një vajzë e bukur si ti, ka provuar ndonjë herë, ose ka pasur dëshirë botën e spektakleve të bukurisë? Valentina Dedvukaj: Kam punuar më herët si modele për Print, me disa kompani në Nju-Jork, por nuk e kam marrë me seriozitet, përndryshe, në këtë profesion duhet të fillosh shumë e re. "Kosova Sot": Duke jetuar afër Hollivudit, keni tentuar ndonjëherë që të provoni aty si këngëtare? Valentina Dedvukaj: Kam punuar edhe me producentë këtu në Amerikë, por me këngë shqip, tani për tani jam e kënaqur me atë që kam krijuar. "Kosova Sot": Ndonjë projekt në muzikë të re, apo ndonjë festival, apo koncert që e keni në plan? Valentina Dedvukaj: Së shpejti një këngë të re, ndërsa sa u përket mbrëmjeve dhe dasmave jam e angazhuar këtu, për festivale nuk e di ende!
(Maksim Gjokaj / Kosova Sot)

Valentina Dedvukaj Spaho, Gjashte Yje Ne Trup