>
BIOSHQIP

Soulkid, “2015-Ta Do Të Jetë Një Vit I Mbarë”

11-01-2015
Uki Latifi, i njohur ndryshe si "Soulkid" ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për teksteshqip.com disa nga planet më të afërta për vitin 2015. Tash e një kohë Uk Latifi është pjesë e "On Records" me Zzap & Chriss. Soulkid ka treguar se është në pregaditje të disa projekteve të reja dhe po punon me këngët e disa prej artistëve tanë. TeksteShqip: Soulkid, 2014-ta ka qenë një vit mjaft i mbarë për ju. Na flisni pak për projektet që realizuat vitin që shkoi? Soulkid: Po është e vërtetë që 2014-ta mund të quhet si një vit i mbarë për mua pasi gjatë verës së këtij viti unë publikova këngën dhe klipin tim të parë solo të titulluar "Po m'pëlqen", projekt ky që u pëlqye shumë dhe që më njoftoi më mirë me publikun shqiptar në të gjitha vendet ku ata jetojnë. Poashtu gjatë vitit 2014 unë punova edhe në shumë këngë tjera që do të publikohen gjatë vitit 2015.



TeksteShqip: Me çfarë po merret Soulkid momentalisht? Cilat janë projektet e tua të ardhshme? Soulkid: Momentalisht jam i fokusuar në këngën e rradhës të cilës do ti bashkangjitet edhe videoklipi, këngë kjo e cila personalisht më pëlqen shumë dhe besoj që do të pëlqehet edhe nga publiku dhe përkrahësit e mi. TeksteShqip: Punoni në studion e Zzap & Chriss, si po ju ecën puna duke qenë se jeni autor i shumë teksteve të njohura? Soulkid: Po, ka disa vite që punoj me Zzap & Chriss dhe puna me ta është një kënaqësi. Unë ende vazhdoj të shkruaj këngë e melodi për artistët e tjerë dhe për shkak të interesimit të madh të artistëve të ndryshëm për të punuar këngë në studion ku ne punojmë edhe unë jam mjaft i angazhuar gjatë tërë kohës. TeksteShqip: A angazhoheni me koncerte? Soulkid: Isha pjesë e disa koncerteve gjatë verës mirëpo tani kam stopuar në njëfarë mënyre pjesmarrjen në koncerte për arsye se jam duke punuar intenzivisht në projektet për vitin 2015 që të kem sa më shumë material për koncertet e ardhshme.



TeksteShqip: Çfarë ju pret në 2015-tën dhe si e festuat vitin e ri? Soulkid: Gjatë netëve festive të vitit të ri përveq që isha pjesë e shumë programeve që ishin organizuar nga televizionet tona unë festova edhe me familjen dhe njerëzit e afërm dhe si gjithmonë ja kalova shumë mirë. TeksteShqip: Po jeta private e Soulkid? Jeni "single"? Soulkid: Në përgjithësi nuk preferoj të flas për jetën time private pasi që dëshira ime është që fokusi të jetë kryesisht në krijimtarinë time artistike. TeksteShqip: Çfarë mendimi keni për festivalet e këngëve në Shqipëri & Kosovë? Soulkid: Nuk është se di shumë rreth festivaleve që organizohen në Shqipëri e në Kosovë mirëpo për aq sa kam ndëgjuar nga njerëzit e afërm dhe kolegët që ishin pjesë e tyre, në përgjithësi flitet se janë mjaft të manipuluara gjë që personalisht më bënë më pak të interesuar për ndonjë pjesmarrje të mundshme timen.



TeksteShqip: Po për albumet? Soulkid: Edhe pse është gati e pamundur për një këngëtar të marrë shpërblimin e merituar për një album unë prap mendoj se albumi është gjë e mirë pasi që në njëfarë mënyre është pasuri dhe kryesisht një dëshmi e krijimtarisë së një artisti. TeksteShqip: Soulkid, faleminderit që ishe pjesë e intervistës. Për fund keni për të shtuar diçka..? Soulkid: Është gjithmonë kënaqësi të përgjigjem sinqerisht dhe hapur për të gjithë lexuesit që të kenë mundësinë të më njohin sa më shumë, ndërkaq për fund do të doja t'ju uroj të gjithëve një vit të mbarë dhe me të gjitha të mirat. Falenderoj nga zemra të gjithe ata që po më përkrahin vazhdimisht.
(B.A/Teksteshqip.Com)

Soulkid, “2015-Ta Do Të Jetë Një Vit I Mbarë”