>
BIOSHQIP
Biografia
Pirro Çako lindi në një familje artistësh. Të dy prindërit e tij ishin këngëtarë, Gaqo dhe Luiza Çako, njëri tenor dhe tjetra soprano. Ambjenti artistik familjar krioji traditën që ndoqi më pas dhe Pirro... Por ai kish vendosur ndryshe, ëndrra e tij ish të bëhej kompozitor e të shkruante muzikë për të prekur zemrat e mijëra njerëzve, ti bënte ata të gjenin në këtë muzikë një ngjarje apo episod të jetës. Njohuritë e para muzikore i merr në moshen 6-vjeçare, duke ndjekur degën e pianos pranë shkollës "Kongresi i Përmetit", me mesuese Lali Gabecin. Në moshën 9 vjeçare ndjek kursin e parë të kompozicionit që u hap në Pallatin e Pionerëve ne Tiranë, me inisiativen e kritikut të njohur të muzikës Spiro Kalemi. Me përfundimin e shkollës 8 vjeçare në degën e pianos Pirro vazhdon studimet në liceun artistik "Jordan Misja" në Tiranë, në degën e kantos, pasi prindërit aspironin që të bëhej një pasardhës i tyre në këtë fushë. Studimet në lice, të cilat zgjatën 4 vjet, ridimensionuan formimin e tij artistik të deri atëhershëm.

Pas një përgatitje dy vjeçare me kompozitorin Aritistin e Popullit Çesk Zadeja për degën e kompozicionit dhe nga ana tjetër me Artistin e Popullit dirigjentin Rifat Tejqa në degën e dirigjimit, ju dha e drejta për të ndjekur Akademinë e Arteve në degën e dirigjimit, të cilën Pirro e kreu me sukses. Me mbarimin e studimeve të larta emërohet në Radio Tirana, ku për 5 vjet me rradhë punon si redaktor muzikë në programin e dytë. Por ëndrra e tij ishte të shkruante muzikë, prandaj, duke përfituar edhe nga pozicioni i favorshëm ku punonte, fillon të shkruajë këngët e para në anketat muzikore të festivaleve për pionierë. Puna e tij krijuese jep frytet e saj hap pas hapi derisa në vitin ’88 Pirro Çako merr pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe është fitues me këngën "E duam lumturinë". Do të pasojnë me rradhë Fest ’89 me këngën "Jemi zemrat e çdo moshe", si fitues i çmimit të dytë; Fest ’90 me këngën "Veç një herë jetojmë", fituese e çmimit të tretë dhe Fest ’91 me këngën "Horoskop ’92", gjithashtu fituese e çmimit të tretë.

Karriera e tij premtuese ndërpritet nga erërerat e forta të tranzicionit dhe ai, si mijëra bashkëatdhetarë, largohet nga Shqipëria drejt përëndimit, për një jetë aq të ëndërruar dhe të panjohur, për tu vendosur në Paris. Me kalimin e viteve fillon të ndjejë mungesën e publikut shqiptar dhe bën një tentativë të parë për tu rikthyer në Dhjetorin e vitin ’94 ku merr pjesë në Festivalin e RTSH me këngën "Një tren drejt lindjes". Por situata në Shqipëri nuk premtonte, kështu që, me përmbushjen e kësaj dëshire që kish munguar prej kohësh, rikthehet në Paris pa ndonjë ide të qartë mbi të ardhmen.

Viti ’95 për Pirron nuk ishte si gjithë të tjerët. Për herë të parë bëhet baba dhe dëshira për ti qëndruar afër të birit, Anthony, dhe Invës, e cila ndërkohe kishte filluar të hidhte hapa gjigandë ne karrierën e saj, e detyrojnë për disa vite të qëndrojë larg jetës artistike shqiptare. Gjatë kësaj kohe njihet më mirë me muzikën variete franceze dhe e finalizon atë me marrjen e diplomës në "Ecole Normale de Musique de Paris / Alfred Cortot" në degën e kompozicionit për muzikë filmi. Kjo kurorëzon dhe pasionin e tij për kompozicionin.

Ana tjetër e pasionit mbetej muzika e bukur dhe publiku që i mungonte gjithnjë e më shumë. Pas një periudhe 7 vjeçare, Pirro vendos të rikthehet jo si turist, por kësaj rradhë si kantautor, ëndrra që e kishte tunduar gjatë gjithë jetës. Ideja se ishte djali i një këngëtari të madh dhe bashkëshorti i një sopranoje po aq të talentuar e kishin vënë përpara një përgjegjësie artistike. Do të shfaqej dhe ai si këngëtar një ditë vallë?. Ëndrra u bë realitet në Tetor të vitit 2000, kur Pirro Çako bashkë me Rovena Dilon fitojnë çmimin e parë në Festivalin e Kënges Magjike në interpretimin e këngës "Për një çast më ndali zemra". Kjo i dha besimin në vetvete dhe hapi portat për të vazhduar karrierën si kantautor. Po atë vit ai fiton çmimin e tretë në Festivalin e 40 në RTSH me këngën "Antinostradamus", por kësaj rradhë vetëm si kompozitor.
EVENTET
  • {{ evt.section_title }}
    {{ evt.feed_text }} {{ evt.custom_text }}

    📆  {{ evt.fancy_date }}