>
BIOSHQIP

Ka ndërruar jetë më 15-2-2019

Biografia
Për shumë dekada iu drejtua aq shumë herë qytetarëve përmes mikrofonit, shkroi me mijëra tekste këngësh, udhëhoqi me qindra apo edhe më shumë akademi e aktivitete artistike, bashkëpunoi me emra të mëdhenj e radiostacione të ndryshme me përkushtim, profesionalizëm e dashuri. Vitet e kaluara me shumë pasion para mikrofonit në radio, s’e kanë lodhur fare gazetarin dhe prezantuesin e mirënjohur kosovar - Hivzi Krasniqin.

Nga një jetë e tërë së bashku, ajo kujton se talentin e Hivziut për shkrime, gazetari, poezi dhe shpirtin e tij artistik, e kishte vërejtur qysh si nxënëse, kur Hivziu shkonte dhe e ndihmonte klasën e saj që për një kohë të shkurtër të nxirrnin në dritë disa hartime që vlerësoheshin me notat më të mira nga mësimdhënësit. E kjo dhunti e Hivziut gjithsesi se i kishte bërë për vete të gjithë ata që kishin pasur rastin të punonin me të, si Petrit Dushin, Akil Kocin, Mehdi Bajrin, bashkëpunëtorët, si Jusuf Gërvalla, Lekë Musolli, "mësuesit" si Rifat Kukaj, Anton Çetta, Enver Gjerqeku... të cilët kujdeseshin për tekstet e ndryshme të këngëve, lajmeve, emisioneve... Janë, ndërkaq, pikërisht tekstet dhe shkrimi i tyre ajo që Hivziun e ka bërë të njohur edhe në një dimension tjetër, krahas punës afër mikrofonit, moderimit të shumë ngjarjeve dhe organizimit të aktiviteteve të ndryshme të fushës artistike. Ai është autor i 1200-1300 teksteve të këngëve që i ka mundësuar atij të bashkëpunojë me secilin kompozitor dhe me shumë këngëtarë, të cilët në këngët e tyre i kanë pasur tekstet e Hivziut. E kur është fjala për tekstet dhe këngëtarët, ai ka diçka për të thënë. "Në tekstet që shkruanim ne, kishte fabul, porosi, edukatë. Në to ka pasur etikë, jo censurë", thotë ai, duke e ndier për nder që tekste ka shkruar edhe për këngëtaren e madhe shqiptare Nexhmije Pagarusha, për të cilën ka një vlerësim të veçantë. "Ajo është e madhe dhe kurrë meritat për zërin dhe veprën e saj nuk i mori për vete, por çdoherë tha se atë e krijoi populli dhe vepra e saj është meritë e popullit të saj", thotë Hivziu, duke përmendur tekstin e këngës emblematike "Baresha" të shkrimtarit Rifat Kukaj, si të jashtëzakonshëm dhe burimor. "Ajo, thjesht, kurrë në jetë nuk ka ditur të fyejë dikë", flet me admirim për të. Gjithsesi, karriera e tij prej gazetari dhe prezantuesi të madh, nuk ka mundur të zhvillohet jashtë kontekstit nëpër të cilin ka kaluar edhe vetë vendi. Nëpër kohë të vështira, plot sfida e sakrifica, dhe me plot rreziqe, të cilave duhej bërë ballë, ndërkohë që padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar, Hivziu dinte mirë t`i demaskonte përmes emisioneve të tij shumë të dëgjuara, qofshin në Programin e Mëngjesit apo në atë të Natës. "Ishte kohë kur çdo fjalë gëlltitej. Puna fillonte në 5 të mëngjesit e përfundonte pas mesnatës. Ka qenë kohë e acartë, por së cilës i kemi rezistuar me përkushtim e me zemër", tregon ai. Emisionet si "Pa brenga", "Globi muzikor", "Radari muzikor", kujtohen edhe sot nga dëgjuesit e tij, ndërkohë që, përveç emisioneve argëtuese, humoristike e satirike, Hivziu kishte punuar një kohë edhe në emisione televizive, në emisione sportive, siç ishte "Reflekse sportive" me Agim Binakun, më herët edhe me Burim Hatipin dhe emra të tjerë të gazetarisë sportive. " E doja shumë sportin, prandaj ishte kënaqësi që një kohë të punoja edhe në emision sporti", tregon ai.
Ndonëse thotë se është më shumë njeri i studios, atij dhe bashkëshortes së tij u ka mbetur në kujtesë një dokumentar i punuar me Bujar Kokorozin, në vitin 1996, që u realizua në Shqipëri dhe në Kosovë, dokumentar kushtuar Ansamblit Kombëtar të Valleve të Shqipërisë dhe koncerteve të zhvilluara në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës, përmes të cilit pasqyrohej shumëçka nga realiteti shqiptar dhe ndarja e gjatë midis një populli që jetonte në Shqipëri e Kosovës. "Është një dokumentar i veçantë", thotë zonja Sevdije, e cila shpjegon se në koncertet e organizuara në qytetet kryesore të Kosovës, ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme të shihet se si ishte mirëpritur ajo ngjarje, që në njëfarë forme, thyen edhe barrierat e vendosura midis një populli nga regjimi serb.

Ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër. Hivzi kohë më parë kishte dalë në pension ku kishte përfunduar karrierën e tij të gazetarit dhe ku e kishte filluar në Radio Kosovë (në Radio Prishtinën e dikurshme). Ai një kohë kishte punuar edhe në Radio Dukagjini,në studion në Prishtinë, e për pak kohë edhe në fillimet e punës së RTV 21. Krasniqi ka treguar prirje të dalluar në shkrimin e teksteve të këngëve hit dhe kështu pas vetes ka lënë mbi 1.000 tekste të dalluara me të cilat ka lënë gjurmë të pashlyeshme edhe në këtë lëmi.