>
BIOSHQIP

Fatos Hondozi Konsiderohet Si “Sinan Vllasaliu” I Ri

25-09-2012
Fatos Hondozi tashmë është bërë një këngëtar shumë i njohur në vendin tonë, i cili nga shumëkush konsiderohet si 'Sinan Vllasaliu i ri'. Këtë e konfirmon edhe fakti se për të dhe menaxherin e tij, Enis Fetahun, nuk kishte fare pushim gjatë gjithë verës. Fatos Hondozi është një emër shumë i njohur për të gjithë. Shumëkush që mendon të bëjë dasmë për martesë, Fatosin e përfshin në mesin e atyre opsioneve për t'i kënduar në natën ndoshta më të rëndësishme të jetës së tij, krahas Ramadan Krasniqit, Afrim Muçiqit, Labinot Tahirit, Medës, Sinan Vllasaliut etj. Që tetë vite sa këndon, Fatosi ka dëshmuar se është i zoti për ta 'kallë' një mbrëmje festive. Falë talentit e përkushtimit të tij, Fatosi tashmë ka zënë vend në zemrat e shumë njerëzve. E Fatosi ndihet tejet i lumtur kur njerëzit i thonë se je bërë si Sinani, tek i cili që nga fëmijëria e kishte gjet inspirimin për t'u bërë një këngëtar i suksesshëm. " Ndihem shumë mirë kur më krahasojnë me Sinan Vllasaliun. Sinani, sidomos në 10 vitet e fundit, është këngëtari më i kërkuar në Kosovë dhe jashtë saj, andaj për mua është privilegj nëse e arrij vetëm 50 përqindëshin e punës dhe të respektit që ka publiku për Sinanin. Jo vetëm për mua, por për gjithë gjeneratën time dhe gjeneratat e reja këngëtarët si Sinani mbeten inspirim, por secili duhet të punojmë që të jemi vetvetja dhe secili ta kemi këndimin dhe stilin e vet. Gëzohem që kam raporte të mira me atë njeri të madh dhe me këngëtarët e tjerë. Ndiejmë respekt të ndërsjellë", tha Hondozi për Express. Fakti që po konsiderohet nga shumëkush si 'Sinani i vogël' ka bërë që menaxheri i disa këngëtarëve, Enis Fetahu të bëhet bashkëpunëtor i ngushtë i Fatosit. "Prej vitit 2011 Enisi është menaxher imi. Jam falënderues ndaj gjithë asaj pune të mrekullueshme që e ka bërë Enisi për mua. Enisi angazhohet rreth datave, aranzhimeve ku unë këndoj dhe të gjithë ata qe më kërkojnë, aranzhimin e bëjnë përmes Enisit", shtoi Fatosi i cili deri më tani e ka punuar një album 'live' të tij, derisa shumë shpejt në diskursin publik do t'i plasojë edhe tri këngë të reja të tij. Se sa ka 'ndezur' Fatosi në vendin tonë tregon fakti se gjatë gjithë verës pushimi për të nuk ka ekzistuar fare. " Sivjet përveç dasmave të shumta që kam pasur, kam pasur edhe mbrëmje në të gjitha qytetet e Kosovës, e po ashtu gjatë verës kam punuar shumë edhe në bregdetin e Ulqinit. Kërkesat mundem me thënë që janë të shumta. Prej 1 korrikut deri më 2 shtator i kam pasur vetëm nëntë ditë të lira, ditë pushimi. Kështu që i falënderohem Zotit dhe publikut për forcën dhe dëshirën e tyre që më zgjedhin mua", pohoi Fatosi i cili kur këndon në një dasmë thuajse nuk di të pushojë së kënduari. " Jam shumë strikt si nëpër dasma dhe ahengje, po ashtu edhe për mbrëmje. Kur më rezervohet data, shkoj dhe këndoj aq sa është kërkesa e organizatorit, nikoqirit", përfundoi ai.
(Express)

Fatos Hondozi Konsiderohet Si “Sinan Vllasaliu” I Ri