>
BIOSHQIP

Elda Shabani (Madonna Shqiptare): Lodhjen Nuk E Njoh Pasi Puna Më Mban Gjallë

07-09-2012
Elda Shabani, e njohur për publikun shqiptar me pseudonimin "Madonna shqiptare", është këngëtare, aktore, drejtuese e spektakleve në tv shqiptare, fituese e çmimit të parë në Festivalin "Kënga e dasmës", ku fitoi diskun e artë me këngën "Luni luni me sevda". Këtë Disk të Artë pati nderin t'ia dorëzojë ambasadori turk në Shqipëri. Pas një kohe të gjatë mungese në Shqipëri, publiku shqiptar i bëri një pritje fenomenale në këtë koncert. E bukur, e freskët, engjëllore, pamja e saj mund të themi se, sfidon vajzat e moshës 20 -vjeçare. Ajo vazhdon t'i rezistojë fortë konkurrencës të bukurosheve shqiptare. Ajo ka një karrierë shumë të suksesshme në Shqipëri duke filluar nga mosha 17 vjeçe e deri tani. Madona është duke përgatitur një album të ri në Zvicër, ku akoma nuk i është gjetur titulli i albumit. Gjithçka do të jetë tepër serioze si në CD dhe videoklipet e saj, pra Madona i thotë stop ekstravagancës dhe mbetet tek e bukura e thjeshtë. -Si do ta komentonit albumin e ri? Albumi i ri "Një jetë kemi ne" është suksesi i fundit. Për realizimin e tij kam pasur bashkëpunim me kompozitorë tepër profesionalë, si p.sh me të madhin Alban Arifi, i cili më ka mbështetur me një durim shumë të madh. Ai ka punuar më së miri dhe unë e kam ndjerë veten shumë më lirshëm se herët e tjera. Albani është djalë korrekt dhe me një disiplinë në punë e tij. Njëkohësisht kam punuar me kompozitorin Artur Qerimi për kompozimet e tij plot sharm dhe filmimet e klipeve. Këtu dua të përmend dhe një studio të re profesionale "Art Studio Records". -Në këtë këngë këndoni në duet apo jo? Po. Isha duet. Dua ta bëj publik emrin e tij, pasi dhe pse është këngëtar i ri po debuton me shumë sukses. Një djalë i dëgjueshëm i respektueshëm, i cili quhet Eli. -Thuhet se kënga e re me Elin po kthehet në një hit? Është e vërtetë, kënga që kemi bërë së fundmi është kthyer në një hit për të gjitha radiot shqiptare. Ajo deri tani është realizuar vetëm si zë, pa klip. Këtë këngë po e pëlqen shumë rinia. Tashmë po punojmë për realizimin e klipit. -Po tekstet e këngëve të albumit nga kush janë bërë? Tekstet në pjesën dërmuese janë bërë nga unë. Në të gjitha tekstet unë jam munduar të përcjellë një pjesë të jetës time. Atë që kam përjetuar nëpër vite. S'është hera e parë që bëj tekste këngësh. Tashmë dua që pjesën më të madhe të teksteve ta bëj vetë, pasi dua ta ndjej jetën si e kam jetuar. -Po klipi kur mund të dalë? Besoj se klipi do të dalë nga fundi i shtatorit. Klipi po realizohet nga dj. Blero me mbështetjen e Ressa Blu" në Tiranë, ku për 13 katet e saj është bërë një kontratë për paraqitjen në klip. Ambientet e realizimit të klipit janë shumë moderne. Ambiente të bukura dhe tepër klas…. -T'i kthehemi jetës familjare. Për të gjithë ata që nuk e dinë sa fëmijë ka Madona? Unë kam dy fëmijë, dy engjëj, dy yje. Zoti më ka bekuar me ta. Kam djalin Xhej 13- vjeçar dhe vajzën Livian 5 -vjeçare. Jeta ime merr kuptim tjetër me ta. Ata më nxisin për shumë projekte në jetë. Dua të përkujdesem deri në detaj dhe kur kam kohë të lirë kthehem në një amvisë shembullore. -Ju keni jetuar një kohë të gjatë në Amerikë. Si ka qenë jeta atje? Kam jetuar 3 vjet në Amerikë, ku dhe kam debutuar në shumë koncerte madhështore. Midis tyre kam organizuar koncerte kushtuar Nënë Terezës, ku kam kontribuar me ndihma për fëmijët jetim. Madje, jam diplomuar anëtare e shenjtërisë "Nënë Tereza". -Kjo do të thotë se besoni shumë në Zot? Po, besoj shumë. Çdo arritje timen ia dedikoj Zotit dhe Nënë Terezës, ata janë nxitësit dhe mbrojtësit e mi. -Në skenë jeni tepër vitale dhe alegro, po në jetën e përditshme si është Madonna shqiptare? Unë respektoj kohën që përjetohet sot. Me këtë dua të them se në jetën e përditshme jam vajzë e heshtur, e respektuar, korrekte. -A e ndjeni lodhjen e këtyre lëvizjeve të shumta në jetën artistike? Lodhjen nuk e njoh pasi puna më mban gjallë. Duke qenë në lëvizje si zor se kuptohem se ku jam, në lëvizjet apo koncertet e shumta që zhvilloj në të gjithë botën. Çdo koncert apo punë e kam kryer me një sukses shumë të veçantë. -Sa albume ka deri tani në treg Madonna? Deri tani në treg kam vetëm 6 albume të gjitha të suksesshëm. Gjithmonë kam projekte në këtë drejtim. -Ju keni marrë pjesë dhe në evente muzikore në Zvicër. Çfarë mund të na tregoni më shumë? Jam pjesëmarrëse në Super Star në Zvicër, ku deri sot jam e vetmja shqiptare që kam marrë pjesë në një spektakël të madh televiziv në një vend që artin e ka primar. Në këtë spektakël, që transmetohet nga televizioni më i mirë i Zvicrës SF- 1, ndjeva kënaqësi pasi në juri ishte mbreti i këngës dj. Bobo. Publiku zviceran më ka pritur në mënyrë të shkëlqyer sikur të isha në Shqipëri. -Me cilën këngë morët pjesë në këtë spektakël-konkurs? Ishte kënga e Maria Carey. Këngën e këndova në anglisht. -Sa kohë keni që jetoni në Zvicër dhe si e kaloni kohën e lirë atje? Kam 10 vjet që jetoj në Zvicër, me dy fëmijët e mi Xheji dhe Livia. Kohën e lirë e shfrytëzoj me kurse të ndryshme, si kurs vallëzimi, bely dance, shkoj në palestër… Jam duke punuar për një projekt të ri në studiot zvicerane dhe me një producent të ri. -Cili vend mendoni se ka mbetur ku nuk jeni prezantuar? Në Kosovë. Aty nuk kam hyrë ende, por kam disa ftesa nga tv të ndryshme. Është synimi im, tregu i Kosovës. -Dihet që ju jeni një familje artistësh. Motra juaj vazhdon në rrugën e artit? Po. Jam motra e këngëtares shumë simpatike Enki, pra siç njihet Enki i Kafazit të Artë 2005. Enki është shfaqur me një vidioklip të bukur, i cili titullohet "Nuk je vetëm ti". Enki po ndjek rrugën e bukur të artit si motra e saj. Ne jemi një familje artistësh. -Cilat këngë ju pëlqejnë të këndoni? Më pëlqen të këndoj këngët e Shqipërisë së Mesme pasi vetë jam tironce (qesh). Pra, këto këngë vijnë nga tradita familjare, por nuk do të thotë që i lë mënjanë këngët e zhanreve të tjera. Këndoj po me aq pathos këngët e muzikës së lehtë dhe kam dëshirë që së shpejti të konkurroj në festivalet e Kosovës.
(Albert Zholi Gazeta Telegraf)

Elda Shabani (Madonna Shqiptare): Lodhjen Nuk E Njoh Pasi Puna Më Mban Gjallë