>
BIOSHQIP

Drilon Berisha, Duet Me Adelina Berishën?

23-08-2012
Këngëtari Drilon Berisha në një bisedë për Express, pas realizimit të albumit të tij, thotë se dëshiron ta realizojë edhe një duet me këngëtaren atraktive Adelina Berisha. Kohëve të fundit ai ka realizuar edhe "single"-in e tij "Veç me ty". Këngëtari Drilon Berisha, pas realizimit të albumit të tij të parë, tashmë ka sjellë për publikun e tij edhe këngën "Veç me ty". Këngëtari i ri, por që premton shumë, thotë se ka ngelur i kënaqur me albumin e parë dhe po vazhdon të punojë rreth albumit të dytë. "Tash jam duke bërë përgatitjet për të sjellë edhe disa këngë të tjera e më pastaj natyrisht që do të mundohem të sjell edhe një album tjetër. Falënderoj bashkëpunëtorët e mi Arsim Bunjakun dhe Enis Preshevën, në veçanti Ilir Beranin që përkujdeset për këngët e mia" ka thënë ai në një intervistë për "Express". Adelina Berisha është këngëtarja me të cilën ai do të dëshironte të këndonte, e të cilës së shpejti do t'i bëjë ftesë për një duet. "Këngëtarja shqiptare që më pëlqen mua për këngët dhe stilin e saj të muzikës është Adelina Berisha. Nuk përjashtohet mundësia që së shpejti t'i bëj ftesë për të kënduar një këngë së bashku me të", shtoi ai. Driloni thotë se e gjen inspirimin tek njerëzit që e rrethojnë, shoqëria të cilët edhe e kanë shtyrë të merret me muzikë, duke parë talentin e tij. Këngët e tij mundohet t'i sjellë në mënyrën më të mirë, duke ua dedikuar admiruesve që tashmë ka mbledhur rreth vetes. "Fansat e mi dhe ata që e dëgjojnë dhe e pëlqejnë muzikën time më shtyjnë të punoj sa më shumë për të dhënë më të mirën nga vetja, ndërsa falënderimi më i madh për gjithçka që kam arritur deri më tash i takon familjes sime", ka thënë ai. Driloni studion gjuhen angleze, kurse në kohën e lirë merret me sport. Tenisi është sporti i tij i preferuar. Porosia e tij është që të gjithë të rinjtë t'i përkushtohen shkollimit!
(Express )

Drilon Berisha, Duet Me Adelina Berishën?