>
BIOSHQIP

Big Basta: Flori është I Mirë Në Muzikë, Por Jo Në Jetën Reale

02-02-2013
Emrin e tij e hasim shpesh në faqet e shtypit rozë. Herë për këngë të reja, herë për çmime në festivale, herë për bashkëpunime të nisura, herë për ndërprerjen e këtyre të fundit, e herë për historitë e dashurisë…Do të lexojmë për të edhe sot, veçse në ndryshim nga e shkuara, ai ka vendosur të flasë vetë. Big Basta, reperi tirons rrëfen për lexuesit e “Bluetooth” të rejat në jetën e tij, miqësitë e prishura dhe dashurinë e madhe që mban emrin Vesa Luma. Big-u me çfarë po merresh këto kohë? Këto kohë përveç vënies në funksionim të studios “042 ZONE”, po merrem edhe me incizime të këngëve të mia të reja, të cilat do të jenë pjesë e një Mixtape (përmbledhje e këngëve në gjuhën e hip hop-it), si dhe po punoj për albumin e Vesa Lumës, që besoj do të dalë nga vera e këtij viti. Sakaq, po vazhdoj me atë pasionin tim për të suportuar sa më shumë talente të rinj. Ndryshimet e kohëve të fundit në menaxhimin tim më kanë dhënë më tepër mundësi për t’i suportuar të rinjtë. Meqë jemi këtu, pse u shkëpute nga “Big City Studio’s”? Çfarë ndodhi? Në të gjithë botën ndodh rotacioni, e natyrisht edhe ne si pjesë e kësaj bote bëhemi pjesë e këtij rotacioni. Kjo nga ana teorike, ndërsa praktikisht mund të them se ne si njerëz me ndjenja, emocione – për më tepër kur kemi statusin ‘artist’ – çfarëdolloj rrethane që vinte si shtypëse ndaj karakterit tim, imazhit tim, shndërrohej në një arsye për ndryshim. Po nuk ndryshoi vetëm menaxhimi, ishin shumë gjëra që ndryshuan në jetën time menjëherë. Vjet realizova një ëndërr timen, publikova atë që për mua është albumi i parë, – megjithëse i dyti në radhë – për nga cilësia unë e quaj të parin. Ndryshoi ndërkaq familja ime, u shtuam në numër. Statusi im privat pati gjithashtu një ndryshim. Edhe shoqëria ndryshoi. Ndryshuan shumë gjëra, po duke u kthyer tek pyetja, mund të them se menaxhimi jo i mirë që iu bë albumit pas publikimit, i vuri vulën ndërprerjes së bashkëpunimit dhe bëri që unë të jem sot me “042 ZONE”. Shumë nga bashkëpunimet e tua janë ndërprerë. Kush e ka fajin për këtë? Bashkëpunimet në ç’sens?! Ke pasur një bashkëpunim me “West Side Family”, që nuk shkoi siç duhet. Ke pasur një bashkëpunim tjetër më Florin, që gjithashtu u ndërpre. Ndërkohë së fundmi u prish edhe bashkëpunimi me “Big City Studio’s”… Tani që po flasim, unë jam 26 vjeç dhe të gjitha këto bashkëpunime që ti përmende kanë ndodhur në një hark kohor nga mosha prej 8 vitesh, që nga mosha 18-vjeçare deri tani. Megjithëse shija me të cilën jam ndarë nga këto bashkëpunime ka qenë shumë e hidhur, nuk jam penduar për asnjë vendim që kam marrë sepse prej tyre jam bërë më i fortë. Më kanë bërë të dalloj njerëzit, në të mirë dhe të këqij… Nëse të pyes sot për çunat e “West Side Family”, çfarë më thua? Për ta kam absolutisht një mendim shumë të mirë. Ata janë pjesë e historisë së muzikës shqiptare, duam apo nuk duam ne. Ky është një fakt. Flori Mumajesi?! E dëgjon sot muzikën e tij? Unë dëgjoj më tepër muzikë të huaj. Nuk është se dua të tregohem modest, por rryma ime është më e lëvruar jashtë. Nuk di çfarë të them për të. E kam lexuar edhe intervistën e Florit në “Bluetooth”, ku ai e kishte lënë ‘flat’ përgjigjen për mua. Edhe unë kështu do ta lë përgjigjen për të. Gjithsesi për mendimin tim është ndryshe në punë, është ndryshe në jetën reale. Si është në punë? Në punë më pëlqen mënyra se si ai e menaxhon veten e vet. Dihet që ai është i talentuar dhe më pëlqen taktika që ndjek për të menaxhuar këngëtarët që e rrethojnë… Kurse në jetën reale është krejt e kundërta e kësaj. Si është në jetën reale? Menaxhimi që i bën vetes në ‘real life’ nuk është i duhuri. Po fundja kush jam unë që ta gjykoj?! A flet sot me Jonida Maliqin, se kam dëgjuar që ka pasur një krisje në bashkëpunimin tuaj? Unë kam një shije shumë të mirë nga të gjitha bashkëpunimet që kam pasur me Jonida Maliqin. Në albumin tuaj keni një këngë me Jonidën, të cilën thatë se do ta bënit edhe klip? Pse nuk u bë? Është e vërtet që ka pasur një duet në album, siç është e vërtetë që unë kam punuar edhe këngë të tjera për Jonidën. Do doja shumë që ky bashkëpunim të vazhdonte, gjithsesi për momentin unë kam planet që ju tregova. Por patjetër që Jonida Maliqi e ka gjithmonë derën e hapur në rrethin tim. Cila është këngëtarja jote e preferuar Bigu? Jo vetëm ngaqë e kam afër, por vërtet më pëlqen shumë mënyra se si e menaxhon veten dhe imazhi që ka krijuar Vesa Luma. Nuk është rastësi që unë e dashuroj atë femër. Është një vajzë me karakter shumë të fortë. Ka vullnetin dhe talentin e duhur dhe është njësoj sikur të shoh pasqyrimin tim tek ajo. Mbetemi tek Vesa… Patëm një propozim për martesë në kullën “Eiffel”. A u shkëmbyen nishanet, a u takuan familjet? Na trego gjithçka. Çfarë u mor vesh, u mor vesh. Familjet normalisht janë takuar me njëra-tjetrën, por nuk kemi bërë shkëmbime nishanesh siç tradita e do. Kur do ta kemi martesën? Është ende shpejt për të folur për këtë. D.m.th në 2013-ën, nuk kemi dasmë? Duke patur parasysh se si e kemi ndërtuar ne marrëdhënien tonë, mos prisni që t’ua tregojmë me gojën tonë datën e dasmës. Jeni zhvendosur përfundimisht në Tiranë kam mësuar… Po, ne kemi nisur lumturisht të dashuruar bashkëjetesën. Si është Vesa si ‘zonjë shtëpie’? A di të gatuajë ajo? Në radhë të parë është femër. Patjetër që di të gatuajë. Vesa është rritur në një familje shumë të respektuar në Prishtinë, pavarësisht ulje-ngritjeve në jetë, më pëlqen shumë mënyra se si janë mësuar. Ato janë tre motra shumë të forta, shumë të afta dhe të zonja. Nëna e saj është heroinë dhe mua më vjen jashtëzakonisht mirë. Cili është gatimi yt i preferuar? Më pëlqen gjithçka nga dora e saj. Jemi më tepër çift eksperimental, po gjithsesi ajo është një amvisë e përsosur. Ti e ndihmon? Patjetër. Kush qeveris në shtëpinë tuaj? Nuk i kemi të ndara. Mashkulli është koka, femra është shtylla kurrizore. Të dy nuk bëjnë dot pa njëri-tjetrin. Ndonjë këngë tjetër me Vesën? Siç e thashë me Vesën po punojmë albumin, i cili do të jetë i gjithi nën produksionin e “042 ZONE”. Ky është bashkëpunimi ynë i parë, kaq kompleks. Vesa po mundohet të tregojë një pjesë tjetër të vetën, që do t’ia krijojnë karakterin e albumit në pop dhe rnb. Shpresoj të jetë një nga albumet e para që ka vetëm një karakter. Edicioni i sivjetshëm i “Kënga Magjike” nuk ta dha kënaqësinë e finales…A mbete i zhgënjyer? Nuk ka lidhje, sepse Bigu është në konkurrim edhe si interpretues, edhe si tekstshkrues, edhe si producent dhe në të tre rastet më beso, nuk dua të jem si dikush tjetër që kërkon shumë shumë. Unë kënaqem me aq sa kam dhe në “Kënga Magjike”, sidomos si tekstshkrues unë dola jashtëzakonisht i suksesshëm. Për mua kaq mjafton, sepse ai është një festival shumë i madh. Emri im është aty dhe është perfekt. Pastaj kënga nuk është se nuk u vlerësua apo nuk u pëlqye, unë benefitet e saj po i marr edhe sot e kësaj dite. Kënga në fakt u përfol si e vjedhur. Një djalë me emrin Mario të akuzonte se ia kishe marrë pa leje atë krijim. Cila është e vërteta? Uroj që jo vetëm ai djalë, por edhe shumë të tjerë që janë në hapat e parë të një karriere të gabuar, të bëjnë kthesë. Nuk e di se si ndihen ata në darkë përpara se të flenë, por jam i sigurt që e dinë se i kanë marrë diçka Bigut. Uroj të vijë një ditë që këtë gabim ta thonë edhe me zë të lartë. Gjithsesi mua nuk është se më bëhet shumë vonë, dua të them vetëm që nuk ka pasur asnjë lloj ndikimi tek “Kënga Magjike” kjo gjë. Ata që e njohin Big Bastën, e dinë që asgjë nga ato që është thënë nuk është e vërtet. Si është marrëdhënia që ke ti sot me Samanta Karavellën? Unë sot flas me të gjithë. A ka ndonjë personazh në show biz me të cilin nuk flet? Janë disa personazhe me të cilët unë i kam krisur marrëdhëniet, por kjo ka ardhur për shkak të jetës reale, jo për shkak të biznesit. Kur do ta shohim klipin tënd të ri? Klipi im i ri do të dalë në ditët e para të shkurtit dhe këtë herë do të sjell diçka ndryshe. Çfarë fabule ka kënga? Kënga e parë do të flasë për mbesën time, e cila ka vetëm disa ditë që ka ardhur në jetë. Ishte hera e parë që unë u bëra dajë dhe kjo më shërbeu si frymëzim. Ndërsa kënga e dytë do të jetë për të inauguruar studion “042 ZONE”. Kjo këngë do të flasë për… Për Tiranën, është prefiksi ynë ‘042’. A do të ketë më këngë për ish-bashkëpunëtorët e tu? Patjetër edhe shumë shpejt. Do të nxjerr versionin e dytë të këngës “Big Basta” dhe do t’i them të gjitha të vërtetat. Ndonjë të vërtetë do të thuash për ne? I thashë të gjitha të vërtetat brenda kësaj interviste.
(Eraldo Rexho Bluetooth)

Big Basta: Flori është I Mirë Në Muzikë, Por Jo Në Jetën Reale