>
BIOSHQIP

Aragona Band, Gjatë Sezonit Veror Edhe Në Diasporë

14-05-2014
Bendi tashmë i njohur Aragona Band, është ndër grupet e vetme që performon muzikë latine. Njëri nga anëtarët e grupit, Gramoz Krasniqi ka bërë të ditur gjithçka rreth të rejave muzikore. Në planet e grupit Aragona Band është një këngë ritmike e cila pritet të realizohet me videoklip dhe të lansohet në muajt e nxehtë të verës. Dhe një tjetër këngë e cila do të jetë baladë dhe pritet të finalizohet gjatë muajit tetor. Janë bërë të njohur në masë përmes shumë këngëve të bukura, ndërsa vulën e karrierës ia dha hiti absolut ‘Vajza anonime’. Është ky grupi ‘Aragona Band’, të cilët duket se edhe këtë sezon do të sjellin risi për publikun vet. Gramoz Krasniqi, anëtar i grupit, në një bisedë ka treguar se ai dhe djemtë e grupit janë duke punuar që së shpejti të vijnë me një këngë të re. “Po jemi duke punuar për një këngë të re për sezonin veror. Nuk kemi ide se kur do të finalizohet kënga, sepse nuk po varet vetëm prej nesh, mirëpo shpresojmë që gjatë muajit korrik ose gusht do të jetë gati për publikim”, ka thënë Krasniqi, ndërsa ka treguar më detajisht rreth kësaj kënge. “Kënga është ritmike dhe mendojmë që do të bashkëpunojmë me Zapp & Criss edhe pse ende nuk është asgjë përfundimtare. Po ashtu këngës do t’ia bashkëngjisim edhe videoklipin të cilin besoj se do ta realizojmë me produksionin ASHA”. E edhe sa i përket bashkëpunimeve, ‘Aragona Band’ janë treguar shumë të suksesshëm. Si me këngën ‘Tepër jemi dashtë’ në bashkëpunim me Rozana Radin, po ashtu edhe me këngën ‘Vajza e Prishtinës’, të cilën e sollën në treg me Ermal Fejzullahun. Por pavarësisht sukseseve që korrën në bashkëpunime, ata këtë vit kanë vendosur mos të realizojnë një të tillë. “Nuk mendojmë të sjellim bashkëpunime këtë vit. Jemi të fokusuar në punët dhe projektet tona, që besojmë se do t’i realizojmë deri në muajin tetor”, ka thënë tutje Gramozi, duke mos shpalosur më shumë rreth planeve të tyre të mëtutjeshme. Të pranishëm gjatë sezonit veror edhe në diasporë Ndërkaq ‘Aragona Badn’ përveç se nuk i ka në plan bashkëpunimet, ata bëjnë me dije se as albumi njëherë përnjëherë nuk është në planet e tyre. Por nuk përjashtojnë që do të bëjnë një përmbledhje të këngëve të mëparshme dhe disa tjera të padëgjuara deri tani, por që sipas tyre ky projekt do të realizohet vitin e ardhshëm. “Nuk kemi në plan që për këtë vit të sjellim ndonjë album. Vitin tjetër po presim ta bëjmë një përmbledhje të këngëve të vjetra dhe të realizojmë disa këngë të reja. E kështu ta lansojmë një album me afro 12-13 këngë”. Ndryshe sa i përket angazhimeve rreth mbrëmjeve muzikore, Garmozi tregon se ata tashmë janë gati, derisa thekson se do të jenë të pranishëm gjithandej.” Jemi përgatitur për sezon veror, thuajse të gjitha datat i kemi të zëna. Kemi me qenë të pranishëm jo vetëm nëpër klube në Kosovë, por edhe në diasporë e vende të ndryshme turistike”, ka thënë në fund të bisedës anëtari i grupit, Gramozi.
(Majlinda Llapashtica)

Aragona Band, Gjatë Sezonit Veror Edhe Në Diasporë