>
BIOSHQIP

“Katundar E Sheherli” Në Version Të Ri Nga Agimi Band

26-02-2016
Të parët që e shkruan dhe e komponuan, ishin dy shahirët "e shenjtë" të folklorit tonë, Tahir Drenica e Hashim Shala. Fjala është për këngën folklorike-humoristike "Katundar e sheherli" e cila kur këndohej nëpër odat e burrave, ambienti krejtësisht merrte frymë tjetër, atë të përqeshjes së burrave ndërmjet vetes. Të shenjta ishin lëvizjet e gishtave të shahirëve duke i rënë çiftelisë e sharkisë, kumbimi i fjalëve të tekstit , sa domethënës, po aq dhe thumbues ndaj sheherliut "pecullan" i cili pa lejen e gruas "as këmbën s'e nxjerr te pragu i derës", dhe katundarit që "s'di tjetër pos burrërisë në odë dhe arës". E ditur është se ato momente e vlera kurrë nuk mund të përsëriten, por grupi i famshëm muzikor "Agimi Band" sapo ka risjellur në mënyrën e tyre brilante këtë megahit shekullor. Kënga "Katundar e sheherli" është punuar në mënyrë perfekte nga ta, bile dhe ambienti ku është xhiruar i përgjigjet tekstit e melodisë. Për punën e tyre në këtë pjesë të melosit tonë, grupi Agimi Band meriton të nderohet nga brezi ynë, ata po çojnë më tej amanetin e shahirave tanë. Pos kësaj kënge, Agimi Band po pregadit këngët e tjera të kënduara në një odë burrash, me të cilën vërtetojnë se janë të veçantë në llojin e tyre.
(Arsim Kolari - Teksteshqip.Com)