>
BIOSHQIP
Biografia
AUTOBIOGRAFI:
Kam lindë në Prishtinë, në orë policore, kështu e tregonte nana rrëfimin e lindjes tem. Ish pas dashtë me thirrë ndihmën e shpejtë, sepse nuk kanë guxu me lëvizë në atë kohë (prill, 1981). Baba e kish pas tepru atë natë me raki dhe kish pa mendu qe po e thirrin ndihmën e shpejtë për të dhe në formë proteste kish pas ra me fjetë.
Jam rritë po ashtu në Prishtinë, prej dy gjuhëtarëve, baba edhe poet, në nji banesë që ka qenë pothuajse e tana bibliotekë. Me u rritë me një babë të njohun e të zotin aq sa asht bekim, aq asht edhe mallkim.
Hala pa u mësu me folë, baba në poezinë e tij të parë më porosit me ju rrek leximit: "I ke mbi tre mijë libra në bibliotekë, e unë një të vetme nuk e kisha…" e kur u bana me lexu e kuptova që isha në njifarë gare imagjinare me t’kalumen e tij. Kam lexu gjithçka, jo veç letërsi, në rininë e hershme më shumë më ka intrigu psikologjia si shkencë dhe jam kanë fort e dhanun pas leximeve mbi këtë fushë. Frojdi dhe Jungu më kanë shoqnu me vite. Bile pata vendos me studiu psikologji, por kur u bana për studime ai drejtim ende nuk ish themelu në Universitetin e Prishtinës.

Pas përfundimit të gjimnazit gjuhësor, ku e pata kuptu që të qenit "çika e Dullës" asht mallkim (pritjet e profesorëve e tejkalojshin qiellin), në formularët e regjistrimit të Fakultetit Filologjik, tek profesioni i prindit pata vendos me ia ndryshu profesionin në "Rrobaqepës", ani se baba jem asnji pullë s’ka ditë me qep e as unë sot nuk di. Në indeks nuk e kam pas shënu hiq emrin e babës dhe ky ka qenë veprimi ma i mençëm i asaj periudhe, më pat falë paqe të pafundme.
Kam nis punën si përkthyese e gazetarëve të huaj pas luftës në Kosovë në moshën 18 vjeçe. I kam përfundu studimet në Gjuhë dhe Letërsi Angleze tue i punu shpesh herë dy orare pune. Më ka ndihmu shumë nana, tue u nis prej besimit e inkurajimit e deri tek paraqitja e provimeve dhe punëve tjera administrative.
Krahas përkthimit teknik, i cili i paguante faturat, me përkthimin letrar kam nis me u marr që prej kohës së studimeve, konkretisht me figurat kryesore të lëvizjes romantike si John Keats, Lord Byron, Percy Bysshe Shelley etj.

Pas studimeve jam martu dhe jam ba nana e Malit, bekimit ma të madh në jetë deri sot. Ditëlindjet e tij i festoj edhe si rilindje të vetvetes. Në albumin e ditëlindjeve të Malit mungojnë fotografitë e ditëlindjes së tij të pestë. Atë ditëlindje nuk e patëm festu. Ai vit ka qenë i zi katran (2013), kur brenda shtatë muajve më kanë vdekë të dy prindërit dhe jam shkurorëzu.

Por, nuk duhet me leju që fatkeqësitë me ta deviju udhën, madje nuk duhet as me i pa si devijim por si pjesë të rritës, si pjesë të udhës të cilën duhesh me kalu, se veç ajo udhë asht e jotja. Sot më janë randu hapat por kur vendosi me i qitë përpara i qes plot siguri e vetëbesim. Mirënjohëse ndaj tana furtunave që më kanë ba kjo që jam. E vetëdijshme se mësues ma të pamëshirshëm, por edhe ma të urtë sesa jeta nuk ka.
EVENTET
  • {{ evt.section_title }}
    {{ evt.feed_text }} {{ evt.custom_text }}

    📆  {{ evt.fancy_date }}