Kantautor dhe kitarist nga Tirana, i rritur në një familje artistësh, që në moshë të vogël kryen formimin e tij profesional dhe artistik në Bari dhe Firenze, Itali. Diplomohet në degën e Psikologjisë, duke kultivuar gjithmonë dashurinë për kitarën dhe muzikën. I njohur në skenën underground të Firenzes, pas shumë vitesh rikthehet në Shqipëri me dëshirën e madhe për të qenë pjesë e skenës shqiptare, duke prezantuar që në fillim krijimet e tij me nuancat rock dhe grunge në kompeticione të ndryshme të vendit si "Top Fest", "Kënga Magjike", "Festivali i RTSH-së" etj. Aktiv në skenën live të kryeqytetit të Shqipërisë, prej vitesh vazhdon të transmetojë nëpërmjet muzikës dhe albumeve të tij vlera si barazia, miqësia, dashuria për artin dhe për të bukurën. Së fundmi, në janar 2019 Vitmar Basha prezanton me sukses dhe feedback tepër pozitiv në Teatrin e Kukullave të Tiranës, albumin e tij me titullin "9".