(1968-1989)
Biografia
Shkollimin e mëtutjeshëm fillor që nga klasa e dytë e deri në të katërtën e vazhdoi në Shkollën Fillore "Naim Frashëri", për të ndërruar sërish ambientin shkollor që nga klasa e pestë, kur kaloi në Shkollën Fillore "Ismail Qemali" në Prishtinë. Pas mbarimit të fillores, u regjistrua në QAMO (tani Shkolla e Mesme Teknike, në Prishtinë), ku i kreu dy vitet e para të mësimit të orientuar, për të vazhduar dhe për t’i kryer dy vitet e tjera në Shkollën e Mesme Ekonomike, me sukses shembullor. Më tej u regjistrua në Fakultetin Ekonomik. Vitin e parë e kreu me sukses, duke kryer të gjitha provimet. Derisa pritej të fillonte viti i dytë akademik, në një aksident komunikacioni, humbi jetën tragjikisht diku në afërsi të qytetit të Nishit (në Serbi), derisa kthehej nga Bullgaria, ku kishte udhëtuar për të blerë një kitarë elektrike, për të qenë më në trend në bendin e tyre. Si i vogël vërehej interesimi për lexim dhe muzikë. Meqë në atë kohë ishte në trend muzika rok, heavy-metal, ai iu përkushtua këtij zhanri të muzikës. I inspiruar nga leximi i librave filozofik dhe historik (sepse qysh fëmijë kishte lexuar mbi civilizimin e lashtë të Babilonisë, pastaj ato që kishin të bënin me parapsikologji dhe filozofi si: "Kështu fliste Zaratustra" etj.) filloi të bëj hapat e parë edhe në artin e të shkruarit.
Me shokët e tij të fëmijërisë: B. B. Poqin dhe Besim Hajdinin, vendosin të formojnë një grup muzikor, meqë që të tretë e donin kitarën dhe kishin filluar të ekzekutonin tingujt e parë të rokut. Kështu në vitin 1984 formohet grupi muzikor "Babilon" kumbar i të cilit bëhet vetë ai, dhe meqë kishte filluar të merrej edhe me poezi, tekstin e parë e shfrytëzon për këngë të parë. Meqë poezia titullohej "Babilon", edhe grupin e emërtojnë me të njëjtin emër. Kjo këngë incizohet në Radio Prishtinë me producent Tomor Berishën e incizues Ilir Hoxhën. Me këtë këngë fillon historiku i këtij Bendi që më vonë do të bëhet i njohur edhe me këngët e tjera që do t’i shkruaj Urani, do t’i kompozojnë Besimi, për t’i kënduar Poqi. Ushtrimet, para incizimeve të këngëve, para koncerteve dhe të festivaleve, në mungesë të lokalit, i bënin nëpër shtëpitë e tyre, herë te Urani, herë te Besimi e herë te B. B. Poqi. Por, meqë në shtëpinë e Uranit kishte garazh, pjesën dërrmuese të ushtrimeve i mbanin në këtë vend. Kur Bendi Babilon kishte filluar të frymojë si Rok grup tani i njohur në Kosovë, me paraqitjet e tyre serioze që premtonin një muzikë avangarde dhe kur kishte shkruar edhe tekstin e këngës së ardhshme të titulluar "Diku në afërsi të shtëpisë sime", niset për në Bullgari për të blerë një kitarë elektrike, sepse kitara që e kishte (e firmës së njohur Melodia) nuk i plotësonte nevojat e duhura. Në kthim e sipër, në afërsi të qytetit të Nishit, veturën e tipit "Lada" që e ngiste shoku i tij i lagjes, Pajtim Kapiti, e shtyp një autobus për t’i lënë të vdekur: Uranin, Pajtimin dhe Meritën. Ishte kjo dita e 30 shtatorit e vitit 1989. Dita më e zymtë e qytetit të Prishtinës. Dita më e zymtë e Rokut kosovar të asaj kohe. Urani jo që nuk e blen dot kitarën, por, ikën tinëzisht e përgjithmonë në përjetësi, për t’i lënë prindërve: Raifit e Qamiles, motrave: Venerës e Donikës, vëllait Lavonit, miqve: B.B. Poqit, Besimit, Mentorit, Arbenit, Dritonit, Arbërit, Ardianit, etj.- pellgun e dhembjes. Këtë pellg të dhembjes, këta, asnjëherë nuk do të mund ta tejkalojnë. Rastësia – thonë - është mbret i botës. Uran Bajrami, foshnje (në moshën tetëmuajshe), rastësisht me familje e bën udhëtimin e parë për në Bullgari.
Njëzet vjet më vonë, po gjatë kthimit nga ky shtet, humb jetën tragjikisht. Gjatë krejt jetës së tij 21 vjeçare, la katër tekste këngësh (që edhe sot e kësaj dite këndohen dhe janë përfshirë në këtë monografi) disa poezi të pabotuara dhe dy proza të shkurtëra e që disa prej tyre i gjetëm të shkruara në origjinal. Në një fletore që shoku i tij i lagjes, i fëmijërisë, i klasës, e më vonë edhe i Bendit, Besim Hajdini, ia kishte ruajtur me xhelozi. Urani, në atë fletore i kishte shkruar vjershat, mbase versionin e parë të tyre, andaj i botuam ashtu si i ka shkruar ai, pa asnjë ndërhyrje. Ndërsa një fletore tjetër, që Urani kishte lënë në shtëpi, ishte tretur diku aksidentalisht. I ati i tij, Raifi, pas vdekjes së të birit, e kishte gjetur fletoren në fjalë, e kishte ruajtur deri para sa kohësh, por për fat të keq, gjatë një pastrimi rutinë të shtëpisë, fletorja humb pa shenj e pa dok. I kujtohet z. Raifit, vetëm një poezi e gjatë, e titulluar "Baladë për..." që Urani i kishte kushtuar një vajze që kishte simpatizuar gjatë moshës adoleshente. Për fatin tonë dhe tuajin, kjo vjershë që i kujtohej të atit të tij, u gjet në fletoren e lënë te miku i tij Besimi.
Aventurën e tij prej krijuesi, Uran Bajrami më seriozisht e fillon me poezinë BABILON, vargjet e të cilës poezi më pas u bënë shkas për t’u themeluar Bendi me emërtimin e njëjtë dhe kjo u bë kënga e parë e kompozuar dhe e kënduar nga ky Bend. Të gjitha poezitë e Uran Bajramit që janë gjetur e botuar, e që nuk janë shumë, (tani së fundi u gjetën edhe të tjerat) janë poezi përkushtuese që me vargjet e tyre, krijuesi mbase është munduar të paraqes një realitet rinor plot elan e dashuri për jetën, por në të njëjtën kohë nuk lë pa përmendur as hendeqet që i dalin para e nuk e lënë të ec e të shoh atë që pretendon ta kap.
Poezia e vetme që nuk ka të bëjë me jetën dhe brengat e krijuesit, por që paraqet një epokë shumë të lashtë, e që duket autorin e ka frymëzuar leximi i librit mbi Civilizimin e lashtë në Babiloni, është mu poezia e titulluar BABILON, e që është një nismë drejt një shtegu jo edhe të gjatë krijues. Lexuesi që ka pasur rastin t’i lexojë këto poezi të pakta apo edhe t’i ketë dëgjuar të kompozuara në këngë, por edhe ju që tashmë e keni në dorë këtë monografi, do të bindeni që Urani, në secilën poezi ka shënuar diçka që do të kujtohet me vite.
Do të kujtohet, sidomos me ato parandjenjat për fundin e jetës... Me këtë konstatim, do të bindeni, menjëherë pasi të keni lexuar poezinë "ËNDRRA". Uran Bajrami ëndërron për diçka që nuk mund ta arrijë. Sheh veten duke ecur e shikuar herë para e herë përpjetë, e askund s’sheh dalje... Kjo ndjenjë e tij paraqitet te vargjet: Tërë kohën eci me zemër të thyernë fund po e shoh ku qeshë jam kthyer. Sikur humb shpresën e atij udhëtimi në kohë dhe hapësirë. Për të vazhduar më tej me dilemën tjetër: ku do të mund ta përplaste jeta, sepse nga ai labirint që është katandisur, rrugëdaljen s’e gjen dot. Megjithatë, torruan nuk e humb, ngushëllon veten me vargjet: N’dorë e kam ardhmërinë/ ti nuk ke shpëtim/ ti je vetëm ëndërr. Në vjershën e dytë EDHE NJË NATË SI KJO, autori i vargjeve shpreh dëshirën të përsëritej edhe një natë, në të cilën ai me të dashurën, do të përkëdhelen nga stuhitë e natës. Ja si shprehet në vargjet e para të kësaj poezie: Edhe sonte dua të jem me ty/ le të na përkëdhelin stuhitë/ e natës. Për të vazhduar me dëshirën e dytë: edhe sonte le të jemi bashkë/ ne të dy /le t’u dorëzohemi ndjenjave/dhe imagjinatës. A thua çfarë deshi të thotë poeti i ri me këtë dëshirë. Cila ishte ose cilat do të mund të ishin ato ndjenja të imagjinatës që do t’u dorëzohen ata. Mos ndoshta mu ajo që ai thoshte apo shprehte si dëshirë, ishte vetë ajo imagjinata që e kishte mbuluar me kthetra në moshën e djalërisë, kur ai nuk mund t’i kishte as tetëmbëdhjetë pranvera. Sepse këto poezi të cilat u bënë këngë, ishin shkruar nga thellësia e shpirtit dhe mu për këtë edhe u bënë këngë që, do t’i këndojë ai me shokët e grupit "Babilon". Edhe më shumë. Jo vetëm që u bënë këngë sa për t’u thënë, por, si të tilla, ruajtën muzikalitetin, dhe aktualitetin e poezisë që lexohet, këndohet dhe kuptohet lehtë. Është e çuditshme që, gati në çdo poezi, autori, sikur paralajmëron ikjen e tij. Shkuarjen, udhëtimin... Do të bindemi që e përcillte diçka si hije që ia rrëfente udhën. Shikoni këto vargje të po kësaj poezie dhe vlerësoni vetë, çfarë e shtyn atë që të konstatojë për diçka që do të vijë tek të nesërmen: Dhe kur e nesërmja do të vijë/ unë do të jem shumë larg nga ti.
Çfarë mesazhi dhe parandjenje i jep të dashurës që e simpatizon. E simpatizon, por për një çast sikur harron dashurinë, përnjëherë i shpreh një të vërtetë: do të gënjeja sikur të të them se të dua/ a ndoshta është vonë/ ndoshta tepër herët.
Sikur me këtë do t’ia bëjë me dije që ajo nuk është person i duhur që, ai e dashuron, mbase, për shkak të parandjenjës që shumë shpejt do të ik e ajo do të mbetet vetëm me kujtimin për të. Andaj, edhe e paralajmëron që të mos lidhet me të, sepse, do të mbetej e zhgënjyer. E paralajmëron dhe e njofton që shumë shpejt do të ik nga kjo botë dhe do t’i bashkëngjitet yjeve dhe engjëjve. Kjo hapur kuptohet në vargjet e fundit të kësaj poezie: Unë do të jem atje/ ku më thërrasin shpirtrat/ unë do të jem atje/ atje ku vallëzojnë engjëjt/ më thirr nëse të duhem... Menjëherë pas kësaj, vjen episodi tjetër i jetës edhe ashtu të shkurtër të Uranit. Episod ky i ndarjes nga e dashura ose humbja e simpatisë, ngase siç shprehet nëpërmjet vargjeve të poezisë së titulluar: Vetëm shko, duket që në mënyrë të qëllimshme do të ndahet nga e dashura e vet. Nga ajo që mbase e simpatizon aq shumë, për t’i bërë ndarjen më të lehtë dhe për t’i mundësuar ta harrojë sa më shpejt. Mbase flet edhe fjalë të panevojshme dhe të pa menduara mirë. Por, qëllim i tij, duket që nga vetë brendia e egos së shpirtit të tij, ishte që, sa më pak njerëz të vuajnë pas ikjes së tij. Kjo nuk do të thotë që e ka ditur dhe e ka lexuar aksidentin tragjik, por, ndërdija e tij flet për një gjë të tillë. Ajo që do të duhej të përmendej është edhe momenti kur në vargjet e fundit porositë ish të dashurën: Vetëm shko/ lojës së re filloja sot/ Më harro/ në jetën time ishe/ vetëm një episod.
Nuk do mend që afiniteti i Uranit për krijime letrare nuk përfundon me këto. Vazhdon ai me poezinë e radhës, në të cilën paraqet një realitet të ri, tani pa të dashurën që e ka braktisur. Nëpërmjet vargjeve të poezisë: Ti je vetëm një iluzion, shfleton ditët dhe mbrëmjet, kur shëtit rrugëve të qytetit i ngarkuar me barrën në shpirthumbjen e dashurisë.
Që në fillim të poezisë (tekst kënge) ndjenjën e vetmisë e paraqet kështu: Sonte hesht qyteti/ Shiu do të fillojë/ Kërkoj shikimin tënd/ Në errësirë/ çiftet rrugës kalojnë/ Më marrin për të marrë. Ashtu i vetmuar ec me kujtimet e dashurisë së parë, e nata assesi të mbarojë, për të përfunduar mendimin me vargjet: Nata më është e gjatë pa ty/ Fëmijërinë ma morën ëndrrat/ E ëndrrat m’i more ti.
Megjithatë, edhe pse i brengosur dhe i mërzitur për atë dashuri të dështuar, vetes dhe të dashurës nuk harron t’i jep kurajë në vargjet vijuese: Ti shkove por kujtimi yt jeton thellë/ Diku në mua. Dhe kur duket që bindet me realitetin tashmë të krijuar, përfundon poezinë duke e ngushëlluar veten me vargjet: ti je një ëndërr që më mbulon/ a të kujtohem unë.
Kulmi i krijimtarisë së tij të shkurtër, arrin me poezinë vijuese, mbase të fundit: Diku pranë shtëpisë sime, ku, hapur shpreh hijen që e përcjell dhe e largon nga shtëpia. Në ndërdijen e tij ndjen diçka që gjithçka do të mbarojë diku, pranë shtëpisë së tij.
Kështu shprehet Urani: i kujtoj çastet që kaluam/ ishim të rinj, të marrë e të dashuruar/ ende pyes veten-athua ku gabuam. Nuk ndalet me kaq. Sepse, ende nuk e ka nxjerr në pah hijen që e ndjek prapa.
Këtë e shpreh në vargjet vijuese: dielli shumë shpejt perëndoi/ diku pranë shtëpisë sime/ çdo gjë mbaroi. Për të ardhur në fund të parandjenjës së tij: diku pranë shtëpisë sime/ ditët kalojnë, ne nuk jemi aty... dhe me të drejtë, mund të konstatohet që poezia e Uranit ka një motiv: atë të dashurisë, por që nuk do të ketë kohë ta shijojë. Sepse, vdekja ishte e pamëshirshme. E mori, për të na lënë vetëm kujtimin për të. (FERID SELIMI / JONUZ FETAHAJ)