>
BIOSHQIP
Biografia
Bendi Babilon formohet në vitin 1984, me iniciativë të Uran Bajramit, Bajram Bylykbashit – Poqit e Besim Hajdinit. Kumbar i emërtimit të Bendit ishte Urani, meqë, kishte shkruar tekstin e parë me po të njëjtin titull që e kishin incizuar si këngë të parë të tyren në vitin 1985 në Radio Prishtinë. Sipas, B.B. Poqit, solistit të këtij Bendi, dilemë nuk kishte pasur rreth 14 emërtimit, sepse vetë Urani e kishte gjetur dhe këta ishin pajtuar.

Urani, (Bass kitarist) Poqi, (solist dhe kitarist) dhe Besimi (kitarist) ishin tre themeluesit dhe anëtarët e rregullt të Bendit Babilon. Ndërkaq anëtari i katërt (timpanisti) Mentor Haziri, njëkohësisht ishte anëtar i këtij Bendi dhe i një Bendi tjetër. Mirëpo, sa herë që është dashur të incizojnë ndonjë këngë, ose të paraqiten në ndonjë koncert, Mentori ishte pjesë e Bendit.

Gjatë kohës sa ekzistoi Bendi (1989) Urani ishte tekstshkrues i këngëve që u bënë hite të kohës, por që vazhdojnë të këndohen edhe më tutje nga Bendet e sotme dhe dëgjohen nga adhuruesit e muzikës Heavy metal.

Vdekja tragjike e Uran Bajramit, njërit nga themeluesit e këtij Bendi, ishte edhe shkak për shpërndarjen e tij.

B.B. Poqi, solist dhe kitarist i këtij Bendi të njohur, jeton dhe vepron në Prishtinë (shpesh paraqitet nëpër koncerte e mbrëmje muzikore). Ka edituar këngë të reja, këndon solo, por duket që ende nuk e ka tejkaluar vdekjen e mikut të fëmijërisë dhe të rinisë, Uran Bajramit.

Besim Hajdini jeton dhe punon në Angli. Ndërsa Mentor Haziri, jeton në Prishtinë.

Gjatë kohës sa ekzistoi Bendi, mori pjesë në shumë koncerte (para grupe) dhe festivale të ndryshme. Disa herë ishin pjesëmarrës të rok festivalit "Boom" që organizohej aso kohe në Prishtinë, si dhe në kitariadë. Këngët më të njohura të këtij Bendi janë: Babilon, Ti je vetëm një iluzion, Edhe një natë si kjo, dhe Diku në afërsi të shtëpisë sime. Që të gjitha këto këngë janë shkruar nga Uran Bajrami e janë kompozuar nga B.B. Poqi dhe Besim Hajdini.