>
BIOSHQIP
Biografia
Shënime mbi autorin
Nikolin Sh. Lëmezhi ka lindur, më 4 shtator 1977 në fshatin Blinisht (Lezhë), që gjendet mbi një kodër të rrethuar në çdo anë me fusha. Shkollën 8˗vjeçare e kreu në fshatin e lindjes në shkollën “Pjetër Zarishi”. Shkollën e Mesme e kreu në Shënkoll të Lezhës dhe Filozofinë në Shkodër në Seminarin Papnor Katolik nga viti 1996 deri në vitin 1998. Ka jetuar në Itali nga viti 1998 deri në 2008. Në vitin 2004 përfundoi studimet e Teologjisë në Universitetin Katolik “San Tommaso” në Messina të Siçilisë.

Që i vogël i ka pëlqyer të lexojë e të shkruajë. Është i bindur se poetët e mëdhenj vijnë nga kushte të përvuajtura jete. Që në shkollën 8˗vjeçare disa poezi të tij transmetoheshin nga radioja e atëhershme kombëtare. Përgjatë viteve ka publikuar poezi, tregime, artikuj, përkthime dhe recensione tek revistat dhe gazetat katolike si, “Mbas Teje”, “Kumbona e së Diellës”, “Agimi” (Gazetë e qendrës shqiptare në truallin e Otrantos), si edhe në gazeta e revista letrare.

Këto janë broshurat dhe librat që ka përkthyer, në rend kronologjik:
1. Shkrimi Shenjt (Kurs Katekizmi), Romë, Janar 1996;
2. Shkrimi Shenjt (Kurs Katekizmi, disa personazhe të besëlidhjes së vjetër), Shënkoll, 1996.
3. Lutja para buke, Shënkoll 1996;
4. Në lutje, Shënkoll 1996;
5. Teresa Verzeri, Një dhuratë e Zotit për botën. Shëngjin, 10. 06. 2001;
6. Nënë Maria Nazarena Majone, Një zemër plot dashuri, 2001;
7. Dritë në vuajtje. Messina 2002;
8. Don Pjetër Leonardi. “Gjithçka në mua qoftë dashuri!”. Verona 2005;
9. Dy vëllezër dëshmorë. Lecce 2007;
10. Shqiponjat, ulliri. Blinisht 2008;
11. Pesëmbëdhjetë minuta…, Shkodër, Mars 2010;
12. Shën Gjerardo. Lezhë, Mars 2010;
13. Kërko një njeri që të të udhëheqë. Shkodër, Prill 2010;
14. AI AJO, tregime mbi jetën e Jezusit e të Marisës. Autor Piero Bargellini. Shkodër 2010;
15. “Katekizëm i dialoguar”, Shkodër, Qershor 2010;
16. Unë kam gjithçka. Tiranë, Shtator 2010;
17. Shërimi i familjes. Shkodër, Nëntor, 2010;
18. Sekreti i lumturisë. Shkodër, Prill 2011;
19. Rruzarja e Lirimit në Shqipëri, Shkodër, Maj 2011;
20. Motër Angela Clerici, …butësia e Hyjit në rrugët e botës. Shkodër 2011;
21. Njeriu i ri shqiptar. Tiranë, 2012;
22. Nga Vëllazëria e Përbotshme te Agape në Torah, në BR, në Kuran. Lecce 2012;
23. Lutjet e Shenjtes Brixhida për t’u thënë për 12 vite dhe Pesëmbëdhjetë Uratët për t’u lutur për 1 vit. Shkodër, Nëntor 2012;
24. Maria, model Feje, Shkodër, Janar 2013;
25. Lutje për lirim dhe shërim. Shkodër, Nëntor 2014.
26. Ju flas nga Ferri (Letër e Anetës nga Ferri) ˗ dëshmi nga jeta përtej vdekjes ˗ 2016.
27. E Lumja Xhovana (Vana) nga Carnaiola (Tr). Shkodër, Korrik 2017;
28. Lutje drejtuar Marisë që zgjidh nyjet. Shkodër, 8 Dhjetor 2017;
29. Mesazhi i Shenjtërisë së Tij Françesku për kremtimin e Ditës së 52˗të Botërore të Paqes.
30. Mikpritja e një populli që kërkon Liri. Shkodër, Shtator 2019;
31. Personaliteti dhe përshpirtëria e Eustachio Montemurro˗s. Lezhë, Maj 2021;
32. Shën Danakti në historinë e Capo di Leuca, Shkodër, 2017;
33. Përhapja e ritit grek në Itali ˗ autori Rodotà, 2018;

Në Tetor të vitit 2021, publikoi përmbledhjen e tij të parë me poezi, me titull: “Si pika vese”. Në shtator të vitit 2022 vjen për publikun me vëllimin poetik “Kur Heshtja flet”, një libër me poezi të shkurtra meditative që janë edhe fryt i përvojës së tij shpirtërore. Të njëjtin vëllim, e ka publikuar në tetor të vitit 2023 në versionin gegnisht, me dëshirën për të ruajtur gjuhën e trashëguar prej të parëve, duke i dhënë kështu, ngjyra më të ndezura poezisë së tij të përshpirtshme. Tashmë, libri me poezi “Kur Heshtja flet”, falë Provanisë Hyjnore, sheh dritën e botimit edhe në anglisht, në muajin nëntor 2023.

Vëlla Nikolin Sh. Lëmezhi është përfshirë edhe në Krestomacinë Zadrima Letrare 3. Në Janar 2023, Tom Gjokhilaj, ka publikuar një monografi me titull “I magjepsur nga Ati” për jetën dhe veprimtarinë njerëzore, kulturore dhe fetare të vëlla Nikolinit. Koleksioni i pullave të postës, imazhet e shenjta dhe kujdesi për lulet janë disa nga hobby që ka. Që nga fillimet e pandemisë së koronavirusit, duke parë gjendjen e trishtuar në të cilën kishte rënë mbarë njerëzimi, është aktivizuar intensivisht në pothuajse të gjitha rrjetet sociale për të dhënë një mesazh shprese dhe gëzimi, një fjalë paqeje dhe bekimi për të gjithë ata që kanë nevojë, duke ndikuar kështu në rritjen e nivelit të moralit e të ndjenjës së lumturisë në shumë shpirtra. Në Prill të vitit 2023, botoi broshurën “Rruzarja e Zojës së Bekuar”, një manual praktik për të udhëzuar besimtarët në lutjen tradicionale katolike të Rruzares. Në Maj të vitit 2023 botoi broshurën “Shën Rroku nga Montpellier”.

Janë të tijat edhe këto broshura:
1. Lutuni!;
2. Rruzare dhe Litani.

Në përvjetorin 152 të lindjes së At’ Gjergj Fishtës, merr pjesë në aktivitetet kulturore që u organizuan me këtë rast në qytetin e Lezhës. Konkurroi kështu me vëllimin poetik Kur Heshtja flet (versioni gegnisht) dhe me librat me përmbajtje religjioze “I magjepsur nga Ati”, “Rruzarja e Zojës së Bekuar” dhe “Shën Rroku nga Montpellier”. Në javën fishtiane që u festua në Lezhë, z. Nikolin Sh. Lëmezhi, mori pjesë edhe në konkursin poetik me poezinë “Janë shqiptarët për ty Shqipëri!”.
Veprimtaria e tij, megjithëse në Heshtje dhe plot modesti, është e gjithanshme. Në fakt, në tetor të vitit 2023, publikon edhe një monografi të shkurtër për jetën dhe lutjet e shenjtes Brixhida të Suedisë. Gjithashtu, tashmë e kemi të përkthyer edhe në Gjermanisht, në Nëntor 2023, vëllimin e tij të dytë me poezi me titull “Kur Heshtja flet”, botuar për herë të parë në gjuhën standarde shqipe në shtator 2022. Aktualisht merret me përkthime, publikime, grupe lutjesh, mësim feje dhe aktivitete vullnetare e bamirësie. Në janar 2024, botoi librin me poezi “Parajsa në tokë”.

Vlerësime

˗ Më datën 11 mars 2007, në konkursin për poezi të lirë shqiptare, zhvilluar nga Shoqata Mërgimtari me seli në Torino, merr çmimin e dytë me poezinë “Gjaku i një fetari”;
˗ Në fundin e vitit 2020, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, me Drejtor dhe Themelues Nase Jani, në Konkursin për poezi, i jep z. Nikolin Sh. Lëmezhi Çmimin “Zef SKIROI”;
˗ Në gusht të vitit 2021, në Vlorë, Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita” i jep Diplomë Mirnjohjeje z. Nikolin Sh. Lëmezhi për ndihmesën e dhënë në ngritjen dhe funksionimin e Bibliotekës Qytetare në Natyrë;
˗ Po ashtu edhe Akademia e Artit, Shkencës dhe Letrave “Mirdita”, me Kryetar piktorin e njohur z. Pjetër Marku, më 02. 12. 2023 në Tiranë, i ka dhënë çmimin “Fran Tanushi” z. Nikolin për Poezi cilësore në Revistën Mirdita 2023.