Biografia
Eliza pa dyshim është një vajzë shumë e zonja gjë të cilën e ka dëshmuar ndër vite. Përveç që është e zgjuar dhe shumë puntore Eliza Hoxha gjithashtu është edhe një këngëtare shumë e dashur për publikun. Por nganjëherë gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë siç duhet në çdo sferë të jetës. Si duket Eliza ende nuk e ka gjetur dashurinë e jetës së saj për të cilën ajo nuk duket se e ka për ngut. Beson që princi I saj do të vijë së shpejti dhe do të jetë dikush që vërtetë e meriton ta ketë pranë.Eliza Hoxha e lindur dhe e rritur në Mitrovicë, është arkitekte me profesion, e diplomuar në vitin 2002 në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Univerzitetin e Prishtinës. Studimet e avansuara pasdiplomike i kreu në vitin 2006 në Univerzitetin Katolik të Luvenit, në Belgjikë, e fokusuar në fushën e planifikimit urban. Momentalisht është duke ndjekur studimet e doktorraturës në TU në Graz të Austrisë.
Që nga viti 2003, është e angazhuar në Katëdrën e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor pranë Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Univerzitetin e Prishtinës. Përgjatë viteve 2007-2009 ishte e angazhuar si ligjeruese në fushën e urbanizmit në Fakultetin e Arkitekturës, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës në Maqedoni. Midis tjerash, Hoxha është aktive në proceset e planifikimit dhe zhvillimeve urbane në projekte të ndryshme praktike nëpër komunat e Kosovës. Ajo që e shquan viteve të fundit më së shumti janë shkrimet e saj mbi kulturën urbane të botuara nëpër gazetat ditore si: Express, Koha Ditore, Lajm, dhe Zëri, nën kornizën "DITARI URBAN". Së fundi ka botuar librin " Qyteti dhe dashuria" i cili vjen si përmbledhje e kolumneve të lartëpërmendura.
Njerëzit e botës së artit dhe kulturës e njohin edhe nga sfondi i projekteve të saja muzikore, por edhe atyre të artit alternativ dhe fotografisë. Vlen të theksohet projekti i saj multimedial për personat e pagjetur në Kosovë me titull " Për ata që s’janë" - ekspozitë personale në Galerinë e Arteve të Kosovës në prill të vitit 2007, dhe më pas në Gjirokastër- Shqipëri, gjegjësisht në vitin 2008. Gjithashtu, projekti multimedial me titull "bridging the tëo" i cili rrëfen Mitrovicën e pasluftës si pjesë e Biennales së Venecias në qershor 2009, (eventet kolaterale) etj. Projekti i saj i fundit multimedial i është kushtuar viktimave të mbijetuara të dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999 në Kosovë - ekspozitë personale e mbajtur në Muzeun Kombëtar të Kosovës me 14 maj 2014, e titulluar "Heshtja e Kangës".
Është autore dhe moderatore e emisionit të vetëm në Kosovë mbi arkitekturën dhe kulturën urbane në përgjithësi "ÇELËSI" i cili transmetohet të dielave në RTV21.