Biografia
Gjatë viteve 1980-1985 ndoqi studimet në Akademinë e Arteve, në degën e kompozicionit dhe u dallua për krijimin e një sërë vallesh dhe poemash simfonike, përpunime vokale për kor, tema për piano e violinçel dhe këngë të lehta. Në vitin 1982 dallohet dhe fiton çmimin "Aleksandër Moisiu" në takimin kombëtar të teatrove.
Në vitin 1985, sapo mbaron studimet kthehet në qytetin e lindjes për të vazhduar udhëtimin e karrierës së tij muzikore. Që në fillim nis punë si drejtues i formacionit muzikor dhe historik të Estradës Profesioniste Korçë, ndërkohë fillon edhe punën e "trajnerit artistik" pranë shkollës së mesme të muzikes "Tefta Tashko Koço". Duke fituar besimin e plotë të qarqeve artistike të qytetit me talentin dhe punën e palodhur, pavarësisht moshës së tij të re, i ngarkojnë detyrën e organizimit të disa koncerteve recitale për artistë të njohur, si Anida Take dhe Pavlina Nikaj. Në Festivalin Kombëtar të Interpretuesve në maj 1987, kënga e tij "Jetë moj e bukur" e intepretuar mjeshtërisht nga e mirënjohura Lindita Theodhori u vlerësua me çmimin e parë. Në Festivalin e 27-të të Këngës në Radio Televizion (1988), maestro Adrian Jorgji ishte dirigjent i formacionit të dytë orkestral. Njëkohësisht ai u paraqit si autor duke na dhuruar një këngë po aq të bukur e të suksesshme nën interpretimin e Linditës, "Nëpër ditët tona" me tekst të poetit korçar Skënder Rusi. Bashkëpunimi i suksesshëm me ta vazhdon edhe në festivalin "Kur vjen pranvera" ku paraqiten me këngën "Emri më i bukur". Po atë vit Adriani drejton formacionin muzikor në koncertin recital të Lindita Theodhorit.
Që prej vitit 1985 Adrian Jorgji, ka qenë dirigjent dhe përgjegjës i muzikës pranë Estradës Profesioniste, Korçë, për përgatitjen e programeve muzikore, përzgjedhjen e materialeve, orkestracionin e materialeve muzikore për orkestrën, përgatitjen e këngëtarëve dhe formacionit orkestral. Emri i tij vulosi "ringjalljen" e festivaleve historike të Radio Korçës ku si drejtor artistik gradualisht i tërhoqi nga motivi politik duke i kaluar sërish në normalitetin korçar. Adriani ka udhëhequr shumë aktiviteteve artistike në rang rrethi, si: Festivalet e Këngës për Fëmijë, Koncerte të Këngës Qytetare dhe Festivale të Serenatës. Për kontributin e tij në muzikën shqiptare Adrian Jorgji është vlerësuar me urdhrin "Naim Frashëri" të klasit I.
Në vitin 1996 hapi studion e parë bashkëkohore në qytetin e Korçës, duke sjellë teknologjitë e reja në produksionet muzikore. Ka bashkëpunuar për projekte artistike me artistë të mirënjohur si Ermira Babaliu, Mihallaq Andrea, Devis Xherahu, Lazarela, Stefi&Endri Prifti, Mimoza Paraveli, Ermira Kola, Gena dhe pothuajse gjithë këngëtarët e qytetit të Korçës dhe më gjerë.
Në Edicionin e I-rë të programit "Këngët e Shekullit" (2007) ka marrë pjesë si orkestrues kryesor pranë TV Klan.
Është vlerësuar me shumë çmime ku vlen të përmenden ndër të tjera:
- Cmimi i parë në Festivalin e Këngës Qytetare në Elbasan, 2006
- Çmimi "Xinxifilo" për muzikën më të mirë për teatrin e kukullave në Takimin Mbarëkombëtar të Kukullave, mbajtur në Pogradec 2005.
- Çmimi "Aleksandër Moisiu" për kompozimin e muzikës më të mirë në Takimin Kombëtar të Teatrove, për dramën "Qyteti i Fundit", 1994.
- Çmimi i formacionit muzikor më të mirë në vitet 1987 dhe 1988 në Takimin Kombëtar të Estradave Profesioniste, Shkodër.
- Çmimi i parë në Festivalin Kombëtar të Interpretuesve, 1987.
- Çmime të para dhe të dyta në Festivalet e këngës për të rritur dhe fëmijë në qytetin e Korçës.
EVENTET
Lidhje
Komente 0