>
BIOSHQIP
Biografia
Një këngëtar ende jo sa duhet i njohur i botës së muzikës shqiptare është arvanitasi, Thanas Moraiti, i lindur dhe i rritur në një mes arvanitasish, në fshatin Vaje.
Kënga e tij autentike, edhe pse shumë shekuj e shkëputur nga bota muzikore shqiptare, ka ruajtur në tërësi solo këndimin e dikurshëm autentik të arvanitasve, popullatë kjo e cila dikur përbënte një të katërtën e Greqisë.
Thanas Moraiti dhe Alekos Dhima kanë sjellë në muzikën shqiptare nota krejtësisht të reja të këngës sonë të dikurshme, e cila mrekullisht është ruajtur gjatë shekujve dhe ka arritur ndër ne në formën e tanishme të këndimit, duke u ruajtur nga helenizimi i fuqishëm asimilues.
Kënga e Kostandinit, apo kënga e Kapedan Thomait, kënduar nga Thanas Moraiti na kthejnë në kujtesë mënyrën e këndimit arkaik të baladave shqiptare të mesjetës, e ndoshta edhe mënyrën e këndimit të këngës shqipe të shekujve më të hershëm.
Ai, në këndimin e tij ka sintetizuar elementet e pasura të folklorit burimor arvanitas, traditë kjo mjaft e pasur në formë dhe përmbajtje, por jo sa duhet e njohur për botën shqiptare në tërësi.
I rritur dhe i edukuar në një oazë të pasur gjuhësore, folklorike e dokesore, ai ka arritur të vjelë nektarin e këngës, duke e pasuruar qoftë me përmbajtjen dhe mënyrën autentike të këndimit, qoftë me ritmin dhe melodinë magjepse, që përcjellë këngët e tij antologjike.
E veçanta e këndimit të këtij këngëtari dhe artisti të famshëm hetohet në përkushtimin e tij të thellë ndaj këngës, në njëzimin e tërë qenies me këngën, shqiptimin e kuptueshëm të tingujve e rrokjeve, e mbi të gjitha me ngjyrat specifike të zërit të pasur me tone të një ritmike harmonike, ku fjala shkrihet në tingull, ku melodia buron nga thellësitë e shpirtit.
Moraiti, paraqet një antologji të veçantë të këngës shqipe, të këngës arvanitase, e cila falë meritës dhe përkushtimit të tij dhe të disa intelektualëve arvanitas, edhe pse me një fond të vogël, ka arritur deri në ditët tona.