>
BIOSHQIP

(1936-2016)

Biografia
Teodor Laço lindi më 29 shtator të vitit 1936 në fshatin Dardhë të Korçës, vdiq më 15 tetor të vitit 2016, është shkrimtar shqiptar. Studioi Agronomi në Universitetin e Tiranës. Ka filluar të botojë që prej viteve ’60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë dhe dokumentarë. Disa prej librave të tij janë vlerësuar me çmimet më të larta që jepen në Shqipëri, ndërsa pjesë të rëndësishme të veprës së tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ’90 është angazhuar edhe në jetën politike të vendit; për dymbëdhjetë vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ’94-’97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador në Fedaratën Ruse. Vdiq më 15 tetor 2016.

Teodor Laço, me koorpusin e tij letrar, që përfshin më se 50 tituj romanesh, vëllimesh me tregime, dramash, komedish e kujtimesh, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Si romancier, tregimtar, dramaturg, komedian, esseist, komentator, opinionist e politolog, ai padyshim njihet nga lexuesi shqiptar, por dhe ai i huaj ku është përkthyer, si një nga kolosët e letrave shqipe.

Tituj të veprave:
Era e tokës (1965)
Shtëpia në rrugicë (1968)
Një natë shiu - 1969
Një nuse për Stasin (1970)
Tokë e ashpër (1987)
Korbat mbi mermer (1981)
Të gjithë lumenjtë rrjedhin (1987)
Pushimet e kolonelit (1990)
Shi në plazh
Vrasja e buzëqeshjes
Një dritare në Kremlin
Mjegull (2009)
Gropas 67 (2014)

Por nëse, në këto gjini, Laço radhitet me elitën krijuese të kombit, ai si poet njihet pak. Jo se nuk ka shkruar poezi, por ato i ka ruajtur si “thesare” të laboratorit të tij krijues.

Por pikërisht, në pragun e 80-vjetorit të lindjes së tij, nga labirinthet e këtij laboratori arritëm të zhbirojmë talentin e tij të rrallë edhe në poezi. Poezi të shkruara në harkun kohor të pesë dekadave, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë.

Mjafton qoftë edhe kjo përzgjedhje për t’u mrekulluar me poezinë e Laços që është poezi përqëndrimesh dhe me karaktaristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit.

Gjen në këtë cikël tituj shumë intrigues që të bëjnë për vete që në krye të herës. Mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues e dallon qoftë dhe në vargjet ” O, si hesht, si nuk pëlcet zemërimi/I lidhur në prangat e durimit!….”

Në tërësinë e tij, ky cikël (si edhe qindra vjershat e pabotuara të Laços),shpalos profilin poetik të një poeti me ndjeshmëri të lartë, me teknika vjershërimi midis tradicionales dhje modernes e postmodernes, me një pasuri të begatë mjetesh dhe teknikash poetike, me struktura vargjesh e strofash të zhdërvjellëta, që e kthejnë formën në një procedim të mesazhit estetik.

Këto risi të poezisë së tij mund t’i dalloni më së miri në ciklin që përzgjodhëm për botim në disa prej revistave kulturore prestigjioze në vend, të cilat Laço i vlerëson, jo vetëm për larminë tematike të botimeve por edhe për cilësinë e produktivitetin e tyre.