>
BIOSHQIP
Biografia
Melita Shehu fëmijërinë dhe rininë e kaloi në qytetin e saj të lindjes. Shkollën 7-vjeçare e kreu në Peshkopi, atje ku u formua edhe si këngëtare. Në klasën e gjashtë aktivizohet me grupet artistike të shkollës. Vajza përgjithësisht këndonte, por nuk qe vetëm kënga ajo që e bëri Melitën emër të dëgjuar në Dibrën e Vogë. Nxënësja e shkollës “Demir Gashi” aktivizohej edhe si aktore, recituese, valltare, prezantuese. Kishte zë, diksion, paraqitje. Vlerësohej për shkathtësinë dhe mençurinë e dëshmuar në skenë. Tregohej e qeshur dhe e qetë, tipare shumë të pëlqyera për një artiste të ardshhme. Të gjitha i bënin fëmijët e asaj moshe. Melita shquhej për talent, ndërsa prindërit e mbështetën, ndryshe nga pjesa tjetër e komunitetit prindëror të cilët nuk u krijonin lirinë e duhur vajzave për të marrë pjesë në aktivitete kulturore. Pasioni i vajzës për artin vinte e shtohej. Kjo dukej në aktivizimet e saj në të gjitha veprimtaritë shkollore. Prindërit jo vetëm që nuk e ndalonin, por edhe inkurajonin, me sa mundësi dhe fuqi që kishin. Shkolla ishte jo shumë larg nga shtëpia, një tjetër fakt lehtësues. Prindërit sa herë që vajza vonohej hidhnin sytë tek shkolla dhe ndiqnin herë në prani të të tjerëve dhe herë nga dritarja përgatitjet e së bijës. Kështu kalonin jo pak kohë duke u argëtuar edhe vet. Grupi artistik nuk kishte shumë vajza. Ishin diku dy-tri vajza që bëheshin pjesë e aktiviteteve artistike. Sadete Miftari dhe Afërdita Graceni ishin shoqet me të cilat Melita shkonte e vinte, përgatitej me orë të gjata për koncertet dhe grupet artistike, apo edhe skenat teatrale. Mësuesi Kiço Kalami i cili jepte Matematike dhe i binte fizarmonikës si dhe Mynyr Shehu mësuesi Muzikës ishin udhëheqësit dhe përgatitësit e grupit të shkollës. Si njëri dhe tjetri gëzonin respekt në opinionin qytetës të Peshkopisë dhe të tilla vlerësimi u dhanë mundësi të veçanta për të ngjitur shkallët e suksesit. Vajzat e aktivuara në të tilla koncerte ranë në sy edhe të drejtuesve të pallatit të kulturës të cilët pasi ndoqën me shumë kureshtje dhe interesim përgatitjet e nxënëseve, i bënë pjesë të estradës. Ato ftoheshin herë pas herë për të qenë pjesë e grupit të estradës në shfaqje të cilat u dhanë në fshatra, ndërmarrje e institucione, apo edhe në qytet. Vajzat Shehu, Miftari e Graceni kanë shkuar në fshatra afër e larg qytetit si në Maqellarë, Shupenzë, Kastiot, Fushë Alie, Sllovë, Gollobordë. Nuk kishte rrugë makinë dhe rruga bëhej me kafshë transporti dhe në këmbë. Vajzat hipeshin në kalë, në terren të vështirë, në akull e në borë. Udhëtime të gjata e të largëta. Në dimër e acar për të shkuar tek qendra e fshatit. Kanë shkuar edhe në Ostren, Tuçek, Trebisht…zona të thella dhe shumë të thepisura. Ndërsa udhëtimi ishte pjesë më vete e vuajteve, trupa e estradës ndeshej edhe me të tjera vështirësi. Ata nuk kishin mikrofon dhe këndonin me zërin e tyre përgjithësisht pa qendra zëri. Rrobat me vete, mbush çanta dhe ashtu,herë në dorë e herë në spup shkonin edhe në skajet më të largëta të Peshkopisë. Ec e pusho. Pi ujë dhe sërish rrugëtim. Kështu ikën vitet e shkollimit. Libra e këngë; mësim dhe skenë. Me të përfunduar arsimin e detyruar shërbue si edukatore kopshti në vitin 1958. Vetëm 15 vjeçe ishte vajza e familjes Shehu e cila mundi të krijojë një konsideratë dhe respekt të veçantë. Gjendja ekonomike e familjes ishte e rëndë ndaj ajo guxoi t’i shtrohej punës shumë e re. Me nallana shkonte në punë ngase nuk kishte mundësi të blinte qoftë vetëm një palë sandale, galloshe, apo këpucë të cilat asokohe ishin vetëm privilegj i vajzave të familjeve me gjendje të mirë ekonomike. Si edukatore shërbeu për një vit. Kopshti kishte shumë fëmijë dhe në atë periudhë nuk ekzistonte ndarja në grupe, sipas moshave. Kujdesej për edukimin, larjen, disiplinën, ushqimin. Me rrogën e saj mujore prej 360 lekësh mbante frymën e familjes. Kaq ishte, mjaftonte apo jo ishte tjetër gjë. I ati, Vehapi kishte një pension të vogël, ndërsa motrat përpiqeshin të jepnin edhe ato ndihmën e tyre sipas mundësive.

Prindërit Vehap dhe Mevlude Shehu jetonin me fare pak të ardhura. Familja tyre qe e madhe pasi sollën në jetë katër vajza dhe dy djem: motrat Myzejen, Lule, Melita e Liliana dhe vëllezërit Reuf dhe Gëzim të gjithë të lindur në Dibër. Vehapi ka qenë taksidar në kohën e Zogut, ndërsa bashkëshortja shtëpiake. Pas çlirimit kryefamiljari punoi pak vite dhe më pas përfoti pension. Familja tetë antarëshe kishte një ndërtetë përdhese. Shtëpia tyre qe afër xhamisë së Peshkopisë, me një oborr të mbushur me pemë e lule për të cilat kujdeseshin të gjithë. Pas çlirimit të vendit gjendja ekonomike e familjeve dibrane, si e të gjitha familjeve shqiptare, ishte e dobtë. Por për prindërit e këngëtares së ardshhme jetesa vështorësohej edhe më tej ngase kryefamiljari e kishte të pamundur të punonte, ndërsa djemtë vinin pas vajzave. Melita ia përkushtoi prindërve pjesën më të madhe të kohës, ngase motrat e tjera u martuan dhe krijuan familjet e tyre. Vehap e Melude Shehu kishin përkujdesje të plotë dhe të gjithanshme nga e bija e cila kishte vendosur t’u qëndrojë pranë.Veç saj edhe vajzat e tjera të familjes bënin ç’është e mudnur të kujtonin prindërit duke dërguar sado pak para të cilat shërbenin për të bërë jetë normale. Me rritjen e djemve dhe futjen e tyre në punë gjërat u përmirësuan. Harmonia mes motrave dhe vëllezërve e lehtësoi shumë ekonomikë ngase secili përpiqej të bënte detyrën ndaj prindërve. Ata i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe kjo ishte shprehje e drejtpërdrejtë e harmonisë dhe solidaritetit mes tyre.

Teksa Melita kishte mbushur 16 vitet, punësohet në estradën e Peshkopisë. Në majin e vitit 1959 estrada u bë profesioniste. Drejtori i grupeve amatore, i cili më pas u emëruar edhe drejtor i estradës, Adil Shehu përgatiti një listë me emra të këngëtarëve, aktorëve, valltarëve, instrumentistëve dhe e paraqiti për miratim. Të gjithë emrat ishin pjesë e grupeve amatore. Në mesin e tyre qe shënuar edhe emri Melita Shehut, vajzës që kishte dhënë shumë kohë më parë dëshmitë dhe aftësitë për të qenë pjesë e estradës. Fillimisht nuk kishte shumë antarë. Diku 10-12 vetë. Dy këngëtare: Melita Shehu e Skënder Cala; përgjegjës muzike Tonin Rrota; regjisor Tef Kroqi; instrumentistë Xhemal Lushi me çifteli, në fizarmonikë Lahim Kola, në xhez vet Melita. Vajza Shehu mësoi t’i bjerë xhezit, çiftelisë dhe kitares. Kjo i jepte mundësi trupës ta vendoste këtë talent në disa pozicione, veç rolit të saj si aktore dhe këngëtare. Me kalimin e viteve estrada e zgjeroi personelit. Aty erdhën reapsodë e instrumentistë shumë të zotë si Hazis Ndreu. Dibra nisi të bëhej zëmadhe shumë shpejt pasi veç trupës themeluese u afruan edhe: Feriha Cala aktore, Inajet Shehu aktor, Hyqmet Elezi aktor, Stefan Roçi… Veç tyre estrada aktivizonte edhe shumë amatorë nga ndërmarrjet. Fshatrat kishin ansamble si Zall-Dardha, Lura, Sllova, Zeqani, përgjithësisht këngë e vallë. Kishin veshje karakteristike, të zonës, të fshatit, shumë të mira dhe krejt të veçanta, ndaj takimet mes ansambleve priteshin me shumë interes. Një herë në vit dhe vit për vit bëheshin takime të tilla, ndaheshin çmime dhe bëheshin vlerësime shumë serioze. Juria përbëhej nga specialistë të muzikës, aktorë, instrumentistë, kompozitorë, regjisorë, këngëtarë, valltarë. Edhe Tirana dërgonte në Dibër anëtarin e vet në juri duke i dhënë në këtë mënyrë shumë vlerësime dhe seriozitet konkurimeve folklorike. Estrada e Peshkopisë (Dibrës së Vogël) ka dhënë turne në të gjithë Shqipërinë. “Të fala nga Korabi” dhe “Oshtima e maleve” ishin premierat më të suksesshme. Dy muaj rreth më rreth. Dy javë në Tiranë, vendqëndrimi më i gjatë, pastaj me dy e tri ditë në rrethe. Suksesi qe i padiskutueshëm dhe kjo falë repertorit shuëm të gjetur. Përgjithësisht këngë dibrane, por edhe të huaja, ndërsa vallet të gjitha tipike dibranë. Shëtitën në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Sarandë, Vlorë, Fier, Lushnje, Berat, Kukës, Tropojë… vend për vend. Ndërsa në rastet e turneve në qytete akomodoheshin në hotele, në fshatra pas koncertit sistemoheshin në shtëpitë e vendësve pritës. Me të mbaruar shfaqjen e gjithë trupa rrethohej nga banorët të cilët përpiqeshin kush e kush të merrte artistët si shprehje e vlerësimit të plotë dhe shumë dashamirës për artin dhe seriozitetin që i kushtonin trupa përgatitjes për shfaqje. Në turne estrada përpiqej të aktivizonte sa më shumë amatorë të cilët promovoheshin, ndërkohë që kjo shërbente edhe si mundësi shumë e mirë dhe e gjetur për testimin e tyre. Pikërisht nga këtu niste edhe seleksionimi për të qenë kandidat për trupën profesioniste. Repertori Melitës ishte shumë i pasur. Këngët popullore dibrane “Jepma mollën” “Ma ke gishtin për unazë” me tekst të Tef Krroqit dhe muzikë të Tonin Rrotës janë shumë të njohura edhe sot. Këndoheshin gjithandej në shtëpi, në rrugë, në dasma. Pas tyre vajza dibrane këndoi këngët ” Moj e mira”, “Çom nishanin djalo”, “Shkoi djali tërmale”, “Këngë kurbeti” për të pasuar me këngë të huaja arabe, turke, kineze etj. Teksa ishte në Dibër, Melita Shehu aktivizohet edhe me ansamblin e shtetit në turneun për në Egjipt. Atje ndenjën një muaj dhe dhanë koncerte në disa qytete të mëdha të Egjiptit. Ishte shkurti i vitit 1964. Një javë kanë ndenjur në Kajro dhe po aq në Aleksandri. Në qytete të tjera me dy-tri ditë. Rreth 50 artistë udhëtuan drejt Egjiptit. Vajtjen e kryen me anijen “Durrësi”, ndërsa kthimin me avion “Alitalia”. Nga Dibra ishte zgjedhur vetem Melita Shehu, ndërsa ajo mban mend se në këtë turne të paharruar kanë qenë edhe këngëtaret Meliha Doda, Naile Hoxha, Fitnete Rexha, Luçie Miloti, Avni Mula, Ibrahim Tukiçi, Qemal Kërtusha. Veç tyre kishte valltarë, instrumentistë, kori. Çdo këngëtar kishte për të interpretur 2 këngë. Melita njërën këngë e kishte me Qemal Kërtushën “Ma ke gishtin për unazë”, kurse tjetra ishte putpuri dibrane. Koncertet të gjitha në sallë. Ishte i gjithë Ballkani dhe më gjerë. Edhe nga Japonia kishte pjesmarrës. Organizohej festival dhe vlerësimi nga shtetet pjesmarrëse ishte shumë i madh dhe i rëndësishëm. Ansambli i shtetit shqiptar u paraqit shumë mirë dhe u vlerësua me çmime dhe vende nderi. Kinostudio “Shqipëria e Re” e ka dhënë disa herë dokumentarin kushtuar këtij festivali dhe pjesmarrjes së ansamblit shqiptar në Egjipt. Të gjitha koncertet jepeshin në mjedise të mbyllura, në pallate kulture e në salla teatri. Salla kishte 7 mijë-8 mijë spektatorë. Me ansamblin “Dibra” në vitin 1970 këngëtarja dibrane mori pjesë edhe në turneun në Maqedoni, duke dhënë koncerte në Strugë, Ohër, Dibër të Madhe, Tetovë… Dy javë vijoi ky turne. Ditë për ditë dhe dy shfaqje në një ditë. Suksesi qe i pakrahasueshëm. Shqiptarët ishin më të zellshmit dhe më mikëpritësit e djemve, vajzave, grave dhe burrave artistë të Dibrës. Palë-palë shqiptarët takonin pas koncerteve artistët shqiptar. i përgëzonin dhe çmalleshin me njerëzit e të njëjtit gjak e komb. Melita Shehu shërbeu pranë estradës së Dibrës së Vogël nga viti 1959 deri në vitin 1971, kohë që transferohet në Durrës.

Melita Shehu në verën e vitit 1971 shpërngulet nga Dibra për t’u vendosur në qytetin bregdetar të Durrësit. Vajza e re gjatë turneve të saj në rrethe u njoh me Agim Liço, aktor amator në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Tre vite zgjati njohja mes të rinjve. Vajza pasi mori pëlqimin e prindërve shpalli fejesën dhe në vitin 1975 vunë kurorën. Suksesit nuk do i ndahet edhe në qytetin bregdetar. Në Tiranë, pak kohë pasi artistja dibrane vendoset në Durrës, u organizua një festival i këngës popullore në Tiranë. Aty Melita kishte këngën “Zani n’bjeshkë” me tekst e muzikë të kompozitorit Vangjel Petushi. Të njëjtën këngë e këndonte Drita Papajani e ansamblit,.Juria e shpalli fituese të vendit të parë Melitën. Ishte fundviti dhe Melita bëhet pjesë edhe e kartolinës, një tjetër vlerësim që i bëhet këngëtares dibrane. Pas këtij suksesi vinë rradhazi të tjerat. Në festivalin e dytë të muzikës së lehtë Melita intepreton këngë të Avni Mulës “Natë feste” dhe fiton vendin e dytë. Vendin e parë e mori Vaçe Zela me “Fëmija i parë”. Në festivalin e tretë kishte këngë të Tasim Oshafi “Urim për ditëlindjen” dhe zë vendin e tretë. Estrada e Durrësit kishte artistë cilësorë. Këtu gjeti aktorët: Aishe Stari, Lume Dashi, Vera Urumi, Nikolin Xhoja, Meropi Xhoja… Drejtor ishte Ibrahim Nova, kurse regjisor Gjergj Vlashi, njeri me shumë merita dhe i pasionuar jashtëzakonisht pas punës. Dibrania vinte në trupën e Durrësit me shumë suksese nga qyteti i i lindjes. Emri i saj tashmë ishte bërë i njohur, i dëgjuar dhe i adhuruar gjithandej. Ndaj pritet ngrohtësisht dhe nis karrierën e re. Kënga e Skënder Mushketës “Unë, ti dhe kitara” pati shumë sukses. Melita edhe këndonte, edhe i binte kitares. Prezantimin e bëri Vangjel Heba, ndërsa tekstin për këtë rast e përgatiti Gjergj Vlashi. Publiku e priti si rrallëkëngëtar, me duartrokitje që nuk pushonin për minuta të tëra. Si në këtë rast edhe në të gjitha këngët e saj Melita detyrohej të kthehej në skenë pas thirrjeve të publikut i cili nuk reshtte deri sa këngëtarja dibrane u plotësonte dëshirën duke kënduar refrenin, apo ndonjë këngë tjetër. Këngët dibrane edhe në Durrës qenë pjesë kryesore e repertorit të saj, ndërkohë që këngë të Agron Xhungës patën jehonë të gjatë. Ashtu si në Dibër, edhe në Durrës, shkoi fshat më fshat e rreth më rreth. Estrada dhe teatri “Aleksandër Moisiu” nuk diskutonte një nga tri vendet e nderit sa herë që bëhej fjalë për konkurime, festivale. Melita e ka vlerësuar si fat bashkëpunimin me Naim Kërçukun, Zija Saraçin, Ylli Çiftin, Engjëllushe Laze, Skënder Myshketa, Petraq Dhamo, Enver Qerimi, Ndue Brozi… talente në fushën e tyre të artit e muzikës. Përgatitje të rregullt për prova të cilat shoqëroheshin nga serioziteti i padiskutueshëm. Qyetarët prisnin me shumë interesim shfaqjet dhe kjo dukej që në rradhët e gjata për të prerë biletë. Salla e pallatit të kulturës mbushej tej e tej, ndërkohë që trupa detyrohej të zgjaste ditët e shfaqjes për të përmbushur interesimin e madh qytetar.

Gjatë dhënies së një shfaqje Melita sëmuret. Bronshiti e detyron të qëndrojë disa ditë në regjim shtëpie me medikamente të dhëna me recetë nga mjeku. Ishte viti 1981. Krejt papritur dhe pa më të voglin shkak ndodh edhe persekutimi saj, por jo vetëm i saj. Shumëkush kishte mësuar për prapaskenën, por këngëtares dibrane nuk pati kush kurajon t’i thoshtë se çfarë ishte kurdisur në mënyrën e fshehtë dhe të pabesë. Ndërsa kthehet në punë, këngetarja mëson se ishte mbledhur organizata e partisë së teatrit dhe kishte vendosur që disa artistë të kalnin në prodhim. Këtë vendim e justifikuan me pohimet se bëhej fjalë për të krijuar të ashtuquajturën lidhje me klasën punëtore e cila duhej “ndihmuar” edhe në jetën artisitke përmes ngritjes së grupeve në ndërmarrje prodhuese. Kjo organizatë politike përgatit një listë, një këngëtare dhe dy aktorë. Vasilika Ndini, Melita Shehu dhe Milto Profi kalojnë në prodhim në kuadër të “inisiativës”. Askush nuk deshi t’ia dinte për meritat e saj, për zërin e veçantë, sukseset brenda e jashtë Shqipërisë, ngjitjet në skenën e Festivalit të këngës. Ikën e u tretën si vesa para diellit tëra fjalët e lëvdatat. Mbi të ra ndëshkimi i pamerituar e i papritur. Nuk ishte vetëm ajo që pësonte një të tillë goditje. Kështu kishte ndodhur edhe me disa artistë e aktorë. E njëjta skenë si dhe me Melitën do të ndodhte edhe pas saj me të tjerë kolegë të këngëtares. Jashtë vullnetit, por pa më të voglën mundësi për ta kundërshtuar, Shehu emërohet në NISH Goma e re. Drejtoreshë ishte Liri Laknori, grua e zonja dhe shumë e komunikueshme. Këngëtarja pritet ngrohtësisht, ndonëse vet ajo ishte e bindur se veprimi dhe vendimi ishte thikë pas shpine. Atje, tek Nish goma punoi në presë, në peshore, merrte shoje ushtarake dhe i peshonte. Kaq e gjitha. Megjithatë në ndërgjegje e në shpirt e brente malli për skenën. Vendimi i largimit të saj nga skena qe hipokrizi e qartë dhe e thellë e politikës së kohës e cila kërkonte të ushtronte presion mbi këdo. Ashtu si Shehu edhe Ndinie Profi e vuajtën shumë ndjenjën e ndëshkimit të padenjë, të padrejtë dhe asapk të moralshme të bërë nga njerëz të cilët nuk gëzonin respekt në opinion. Për më shumë se një vit Melita iu shtrua punës. La mënjanë të shkuarën si dhe nuk u mor fare me shkaktarët e hiles dhe pabesisë. Mbesa e saj, e cila vijonte studimet në juridik, e takon Melitën dhe i sugjeron daljen në pension duke i bërë të ditur se kishte plotësuar vitet e punës dhe kishte të drejtën e përfitimit të pensionit. Kjo i mjaftoi Melitës, të persekutuarës pa shkak e arsye, për të plotësuar dosjen dhe për të mbyllur përfundimisht gjithçka me shtetin. Gjatë kohës që punoi tek Nish goma refuzoi çdo bashkëpunim me estradën. Ishte e bindur se nga brenda institucionit kishte ndodhur tërë skenari ndëshkimit të padenjë e të pandershëm. Miqtë e ftonin të ngjitej në skenë përsëri, por vendimi saj qe marrë dhe ishte i pakthyeshëm. Mungesa e gjatë e daljes së saj në publik zgjoi interesimin e dashamirësve të artit. Shumë prej tyre, të njohur e të panjohur për këngëtaren, nxituan të kërkojnë shpjegime lidhur me atë që kishte ndodhur.

Në Dhjetor 1964, Melita Shehu merr pjesë në Festivali I 3-Të Në Rtsh me këngën "Urim Per Ditelindje".