>
BIOSHQIP

(1932-2018)

Biografia
Loni Papa (Bubullimë, 28 mars 1932 - 22 qershor 2018) ka qenë dramaturg dhe autor i letërsisë për fëmijë, i prozës, poezisë, shkrimeve publicistike, rrëfenjës, fabulës etj. Autor i më shumë se 35 veprave lertrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës e i disa çmimeve kombëtare. Mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe.

Loni Papa u lind në Bubullimë të rrethit të Lushnjës më 28 mars 1932, në një familje intelektuale. I ati, Thoma Papa, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, ishte mësues dhe drejtor shkolle në qytetin e Lushnjes. Mësimet e para i mori në vendlindje dhe shkollën shtatëvjeçare e ndoqi në qytetin e Elbasanit. Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën Pedagogjike “17 nëntori” në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Fakultetin Histori – Filologji në Universitetin e Tiranës.

Veprimtaria e tij letrare nisi në periudhën e shkollës së mesme. Krijimet e tij të para në prozë e poezi i botoi në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Letrari i Ri”, “Drita” dhe në revistat “Hosteni” e “Pionieri”. Me mbarimin e shkollës së mesme, në moshë ende të re, u emërua redaktor në gazetën “Zëri Rinisë” ku punoi për tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai botoi vëllimin e tij te parë në poezi, “Fillo këngën çifteli” (1956). Më pas punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qytetin e Lushnjës. Pas përfundimit të studimeve të larta, rinisi punën si redaktor dhe gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Prej vitit 1970, vazhdoi veprimtarinë e tij si shkrimtar në profesion të lirë. Në vitet 1994-2001 ai krijoi dhe drejtoi shtëpinë botuese “Ardita” ku u botuan vepra të tij, të autorëve të tjerë shqiptarë dhe përkthime nga autorë të huaj.

U nda nga jeta në 22 qershor 2018, në Montreal, Kanada. Trupi i tij prehet në atdhe, Tiranë.

Veprimtaria letrare shkrimtarit Loni Papa, është pasqyruar në dramë, romane, novela, rrëfenja, poezi, letërsi për fëmijë dhe është autor i shumë shkrimeve publicistike e letrare. Gjatë aktivitetiit të tij, ai ka lëvruar kryesisht në dy gjini, dramë dhe letersi për fëmijë. Është autor i 13 dramave. Dramat “Cuca e Maleve” dhe “Marga” janë vlerësuar me çmime kombëtare. Letërsia për fëmijë zë një vend të veçantë në krijimtarinë e shkrimtarit Loni Papa. Ai ka shkruar drama e komedi për fëmijë, novela, skenarë për filma vizatimorë, radiodramatizime dhe një numër të konsiderueshem rrëfenjash. Ndër veprat e tij më të njohura për fëmijë janë novelat “Gishto trimi”, “Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur” dhe rrëfenjat “Tri motrat” dhe “ Kënga e Mjellmës”.

Vepra më e njohur e shkrimtarit Loni Papai që i dha emër si dramaturg në letersinë shqiptare, është drama “Cuca e Maleve”. Tema e kësaj drame, mbështetet në luftën për arsimimin dhe emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare në vitet e para pas çlirimit të vendit. Në vitin 1966, drama “Cuca e Maleve” u vu në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës nga regjisori Mihal Luarasi dhe pas suksesit që ajo pati, në vitin 1967, u soll në skenën e Tearit Popullor nga regjisori Pirro Mani. Drama “Cuca e Maleve” ka fituar Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë, në vitin 1972.

Bazuar në dramën “Cuca e maleve”, në vitin 1970 u krijua nga bashkëautorët Loni Papa dhe Agron Aliaj libreti i baletit “Cuca e Maleve”. Ky balet me muzikë nga kompozitori Nikolla Zoraqi, u vu në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar nga koreografi Agron Aliaj.

Drama dhe baleti “Cuca e Maleve” janë shfaqur brenda dhe jashtë Shqiperisë

Tituj të veprave
Drama
Cuca e maleve (1967)
La fille des montagnes (Botim në frëngjisht i dramës «Cuca e Maleve», 1978)
Kalimi në urë (1969)
Marga (1971)
Një copë rrugë (1976)
Gurët e Kreshanës (1976)
Zbatharakët (1976)
Vëllimi “Gjeniu i marrëzisë” (2003) ku përfshihen pesë drama:
“Çafka e detit”, “Arda”, “Vozabërësi Dako”, “Martesa e Lidrës”, “Gjeniu i marrëzisë”.
Etiketa e shkulur
Baltë dhe bar
Vëllime me poezi
Fillo këngën çifteli (1956)
Puthje djalli (1998)
Romane
Fundi i një vjeshte (1985)
Megi (2000)
Novela
Guri (1958)
Duar dhe baltë (novela, 1969)
Letërsi për fëmijë
Historia e maçokut, (vjersha për fëmijë, 1957)
Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur (novelë, 1964, 1993, 1997)
Miu që hëngri macen (novelë, 1974, 2003)
Gishto Trimi (novelë, 1978, 1999)
Rosat e Eglës (rrëfenja, 1984)
Hundëçipët dhe mbreti Kuku (novelë, 1993, 1997)
Përralla fluturuese (rrëfenja, 1994)
Kënga e mjellmës (rrëfenja, 1995, 1997)
Gomari mendjehollë (1995)
Tri motrat (rrëfenjë, 1996)
Floçka Ardë (rrëfenjë, 1997)
7 drama dhe komedi për fëmijë (2004) ku përmblidhen:
“Laura dhe vëllezërit”,“Motrat”, “Lojë luftash”, “Fyelli magjik”(komedi), “Bariu dhe Dhëmbëhekuri”, “Gëzofi i Erlës”, “Dac Maçi” (komedi).
Shkrime letrare dhe publicistike
Thërrime nga jeta e një poeti (kushtuar Migjenit, Revista nëntori, nr. 8, 1962)
Kujtimi i ditës së parë (Zëri Rinisë, 9 mars 1963)
Legjendë kasollesh (Zëri Rinisë, 14 tetor 1964)
I humburi i maleve (Zëri i Rinisë, 31 tetor 1964)
Bukuri e dhimbëshme (Zëri i Rinisë, 13 maj 1967)
Paradoksi (kushtuar Artistit të Popullit Kadri Roshi, Revista Ylli, 1968)
Druri që këndon (Revista nëntori, nr. 3 1978)
Metafora dhe uni i një poeti (kushtuar Dhimitër Minos, poet dëshmor 22-vjeçar, Revista nëntori nr. 9, 1986)
Këmisha e turpit (Zëri Rinisë, 12 dhjetor 1986)
Mesazhi filozofik (Revista Skena dhe Ekrani, nr. 1, 1987)
Vegim (kushtuar Artistit të Popullit Serafin Fanko, Revista Skena dhe Ekrani, nr. 1, 1988)
Eja, moj, ka ardhë Kola (kushtuar dramaturgut Kolë Jakova, Revista Skena dhe Ekrani, nr.3, 1988)
Në jetën e dytë (kushtuar aktores Marie Logoreci, Revista nëntori, nr. 8, 1988)
Radiodramatizime
Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur, Loni Papa - Radio Tirana
Tri Motrat, Loni Papa - Radio Tirana
Aventurat e Hakelberi Finit – bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autorit Mark Twain, titulli origjinal (The Adventures of Huckleberry Finn) - Radio Tirana
Pesë fëmijë dhe xhuxhi i rërës- bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autores Edith Nesbit - titulli origjinal (Five Children and It) - Radio Tirana
Dhëmbi i Bardhë - bazuar mbi romanin me të njëjtin titull të autorit Jack London- titulli origjinal (White Fang) - Radio Tirana
Skenarë filmash vizatimorë
Gishto trimi - Kinostudioja “Shqipëria e Re”, 1979
Iriqi dhe dhelpra - Kinostudioja “Shqipëria e Re”, 1981
Mirënjohje
Drama “Cuca e maleve” – Çmimi i Republikës i Shkallës së Dytë, 1972.
Drama “Marga” - Çmimin i parë në Konkursin letrar – artistik të njëzetepesëvjetorit të çlirimit të Atdheut, 1969
Urdhëri i Punës së Klasit të Dytë për pjesëmarrjen aktive si gazetar në veprat kombëtare “Hekurudha Rrogozhinë – Fier” dhe “Rruga e Dritës Kukës – Peshkopi”.
“Qytetar Nderi i Lushnjës” -Këshilli bashkiak i Qytetit të Lushnjës, 2006