>
BIOSHQIP
Biografia
Kur familja e Jimilianit vendosi të largohej nga Shqipëria fillimisht për në Belgjikë e më pas në qendrën e azilkërkuesve të quajtur Sandholm në Danimarkë, ku kërkuan azil politik, ai ishte fare i vogël. Ka lindur në Laç dhe është djali i një këngëtari të njohur të folkut në vitet ‘80, Enver Ismailit. Kalvari i familjes Ismaili mbaroi me marrjen e të drejtës për të jetuar ligjërisht në Danimarkë në vitin 2000. Në 2006-ën, Jimilian Ismaili, me emrin e artit "Lil ‘G" konkurroi në Børne MGP (Danish Children’s Melodi Grand Prix) me "Penge". Ishte 12 vjeç në atë kohë dhe u rendit i dhjeti. Pas MGP, Jimiliani vazhdoi të nxjerrë këngë online duke u bërë një emër shumë i njohur nëpërmjet postimeve si "Virus", "Elsker", "Vibration", "Finde dit smil igen" dhe "Tættere på". Gjithashtu ai tërhoqi vëmendje duke shoqëruar në këngën "Ghetto", Mido-n (emri i vërtetë Mohammed Zaghmout) dhe duke marrë pjesë gjithashtu "Ghetto Pt. 2″ featuring Jimilian and Enrico Blak. Të dy ata ishin pjesë e Flexmusic. Single i parë, ama, që u rendit nëpër hitparadat vendase ishte "Hjerteslag" featuring Poeten, që hyri në Tracklisten, renditja zyrtare e këngëve daneze, në korrik 2012. Mediat e huaja e përshkruajnë si "një njëzetvjeçar, me shpirt dhe zemër shqiptare, shumë premtues në muzikën daneze". Sot aktiviteti i tij menaxhohet nga firma më e madhe në botë, SONY. Këngët e tij kanë kapur majat e suksesit, pothuaj dhjetë herë më shumë klikime sa banorë ka gjithsej vendi i tij, për mos të folur për qytetin nga vjen, gati 30 milionë. Por është dhe një nga këngëtarët më të dashur për fansat e muzikës në Danimarkë. Aktualisht ai është nominuar për të përfaqësuar Danimarkën në Europe MTV Muzic Award, një kompeticion shumë prestigjioz, sigurisht dhe një shkallë në karrierën e këngëtarit nga Laçi as 20 vjeç së bashku me Nik & Jay, Medina, Shaka Loveless dhe Panamah. Kënga titullohet Mr.Casanova dhe e ka realizuar bashkë me dy artistë të tjerë të cilët gjithashtu jetojnë në Danimarkë.

Talentet e familjes Ismaili

Duket sikur historia përsëritet, por në gjuhë tjetër. Babai i Ismailit, Enveri së bashku me vëllanë e tij binjakë, Sabahun kanë kënduar gjithashtu. Çdo shqiptar që ndiqte televizionin dhe radion shqiptare ne vitet tetëdhjetë të shekullit të kaluar nuk mund të mos e mbajë mend duetin e binjakëve nga Laçi, me këngën "Jemi dy vllazën dy binjakë" e cila përfaqësoi kosovarët e rrethit të Krujës në Festivalin Kombëtar Folklorik në Gjorokastër, në vitin 1983. Ata vazhduan të merrnin pjesë në festivale të tjera folklorike kombëtare dhe shkelën në shumë skena të vendeve të ndryshme perëndimore ku ishin të vendosur shqiptarët, veçanërisht ata të Kosovës dhe trojeve shqiptare, deri në atë kohë. Dhe tradita vazhdon: nuk është vetëm Jimiliani që ka trashëguar talentin e të atit, por dhe djali tjetër Besmiri. Dy artistë në vend të huaj, por që kanë arritur të ngjiten në majat e suksesit. Besmiri ka bashkëpunuar me të vëllain që në debutimin e tij, në vitin 2006, kur mori pjesë në festivalin e muzikës për fëmijë në Danimarkë, kur i shkroi tekstin e këngës që u rendit e dhjeta. Së bashku, me të atin gjithashtu kompozojnë këngët që Jimiliani këndon. Besi dhe Jimiliani kanë qenë të ftuar tek producenti më i madh i Danimarkës EZI CUT që ka realizuar shumë këngë për këngëtarë me famë botërore.

Një prejardhje historike

Historia e familjes Ismaili nga Pepajt e Nokshiqit – Arzhenicë, në Malin e Zi fillon shumë herët por ajo vjen dhe kristalizohet me datën 6 Prill të vitit 1911, kur një burrë i kësaj familjeje, Rexhep Haradini mori pjesë në ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiç, përkrah Dedë Gjo Lulit. Kjo ngjarje i pararendi shumë ngjarjeve të mëdha për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo u pasua me pjesëmarrjen e tij në ngritjen e Flamurit në Vlorë duke shoqëruar Isa Boletinin bashkë më patriotë të tjerë nga Mali i Zi dhe Kosova. Si shumë të tjerë, ky burrë i madh, u vra nga serbët e malazezët në kullën e tij në Pepaj. E shoqja shpëtoi nëpër flakët e kullës, në mes të borës dhe motit të tmerrshëm të bjeshkëve, me një djalë gjashtë muajsh, Sadri Rexhepi dhe ia doli të kalonte në Shqipëri në fshatin Çerem të Tropojës. Aty shkoi edhe kunati i saj, Met Haradini dhe së bashku udhëtuan drejt fshatit Gorre, në bregdetin e zonës së Laçit. Ai jetim i rritur në ato rrethana, u rrit, u martua me një bijë të familjes më të madhe të Vuthajve, Nurie Delia- Ulaj, me të cilën lindën 6 djem e dy vajza. Midis tyre lindën edhe 2 binjakë, Enveri e Sabahu. Dy këngëtarët që po emocionojnë mijëra fansa dhe po marrin milionë klikime janë djemtë e Enverit.
EVENTET
  • {{ evt.section_title }}
    {{ evt.feed_text }} {{ evt.custom_text }}

    📆  {{ evt.fancy_date }}