Gjuljana Marku e njohur me emrin e artit "Anna" është poete, autore këngësh dhe këngëtare. Ajo ka lindur në fshatin Domgjon të rrethit Mirditë. Ka mbaruar arsimin e mesëm pedagogjik në qytetin e Lezhës më 2013. Ka mbaruar studimet e larta në degën Shkenca Politike të Fakultetit Shkenca Politiko-Juridike në Universitetin "Aleksandër Moisiu" në Durrës më 2016. Pasioni për poezinë ka filluar që në moshë të vogël e sot poezia ka zënë rrënjë në shpirtin e saj. Nëpërmjet vargjeve ajo përkëdhel gjithçka që fal lumturi, dashuri, admirim, por dhe godet me forcë gjithçka shqetësuese dhe që prej vitesh etiketohet si "plagë e shoqërisë njerëzore".Shpeshherë ajo citon: "Shpirti krijues më dha mundësinë që të jetoja në dy realitete në atë që shpërthen në mijëra ngjyra dhe realitetin bardh e zi". Shkrimtari i cili frymëzon shpirtin e saj poetik është "i pavdekshmi Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). Krijimtaria e vajzës mirditore nuk përfundon vetëm në vargje poezie, por vargjet e saj bashkohen me melodinë për të krijuar këngë. Gjuljana Marku është tekstshkruese e këngëve të ndryshme dhe këngëtare e këngëve me tematika të ndryshme.