>
BIOSHQIP

(1606-1644)

Biografia
Frang Bardhi ose Frangu i Bardhë (lat. Franciscus Blanchus, it. Francesco Bianchi; Kallmet, 1606 - Romë, 1643) ka qenë prelat kishtar dhe shkrimtar shqiptar. Shquhet ndër autorët e hershëm të letërsisë shqipe, si hartuesi i të parit fjalor të shqipes Dictionarum latino-epiroticum, botuar në Romë më 1635. Shërbeu si ipeshkëv i Sapës në vitet 1635-1644.

Frangu i biri i Markut, lindi më 1606 në Zadrimë, në një familje të spikatur që i kishte dhënë klerikë e ipeshkvinj Kishës Katolike si dhe ushtarë për Republikën e Venedikut. Mësimet e para i mori nga të afërmit e vet dhe më vonë dërgohet të studjojë në Kolegjin e Loretos dhe në në Romë, në mënyrë që të kthehej e të bëhej ipeshkëv i Zadrimës, siç ishin aspiratat e familjes së vet. Gjatë shkollimit mori mësimet rreth shërbimeve kishtare si dhe në gjuhët e huaja, kohë kur do të ketë marrë njohuri në gjuhën sllave dhe turke. Fazën e dytë të studimeve e vijoi në Kolegjin Ilirik të Loretos më 1628, e më pas vazhdoi më 1633 - si i pari student shqiptar - në Kolegjin Urban të Propagandës Fide, ku kreu studimet e thelluara dhe do të ketë përsosur njohuritë e latinishtes e italishtes. Pasi u doktorua në teologji u emërua ipeshkëv i Sapës, pa qenë më parë famullitar në kohën e papatit të Urbanit VIII.

Më 1635 botoi në Romë fjalorin e parë të gjuhës shqipe, Dictionarum latino-epiroticum (Fjalor latinisht-epirotisht/shqip) me 5640 zëra. Në apendiksin e vet ka 113 proverba, shprehje dhe fjalë të urta, disa prej të cilave janë përkthyer prej gjuhëve të tjera në shqipe, por shumica e tyre janë vjelur nga folklori shqiptar. Më 1636 iu botua në Venedik një biografi për Gjergj Kastriot Skënderbeun, me titullin Apologjia e Skënderbeut. Vepra ishte një polemikë ndaj priftit katolik sllav Ivan Tomko Mrnavić që mëtonte se Kastrioti kishte prejardhje sllave.

Më 1636-37 vizitoi si misionar apostolik dioqezat shqiptaroveriore, ku në relacionet që i bënte Selisë Shenjte radhit të dhëna të shumta mbi historinë, gjeografinë dhe etnografinë e atyre viseve. Relacionet me titullin Descrittione et informatione del stato del vescouato et chiese parochiali della Diocese Sappatense u përkthyen nga Injac Zamputti dhe u botuan më 1956 me titullin Relacioni i Frang Bardhi mbi Zadrimën, drejtue Kongregacionit të Propagandës në Romë në shek. XVII.