>
BIOSHQIP
Biografia
Ka vetëm pak kohë që ka ardhur me një këngë e cila po pritet shumë mirë dhe ka marrë shumë pëlqime, e kjo për këngëtaren e re është kënga e dytë por e para me një video. E kemi fjalën për Doruntina Bega, këngëtaren e cila jeton në Heidelberg të Gjermanisë por është nga Ferizaji, dhe duke qenë se shkurt e kanë quajtur Tina ajo mban këtë emër edhe në muzikë. Kënga e saj që tashmë është kthyer në një hit me titull ‘E boj’, me video realizuar nga ‘Genton Studio’ dhe ‘XL Provideo Lux’ dhe suksesi i saj po e bën të ndjehet shumë mirë Tinën, por ajo është e njohur edhe për prezantimin e saj me këngën e parë në show-n ‘Odeon’ të Naim Abazit. Ne mësojmë se muzikën e ka nisur si hobi, por kjo nuk do të thotë se s’mund të kthehet për të edhe në një profesion pasi e don shumë atë dhe shquhet për një stil shumë interesant. Artistja e re ka në plan edhe këngë të tjera madje edhe një bashkëpunim me një emër të njohur të skenës shqiptare që nuk e zbulon ende se cili, por mësojmë se projekte të reja edhe me producentët e suksesshëm Zzap&Chriss do të vijnë nga vajza simpatike. Doruntina ka mik të mirë këngëtarin tjetër shqiptar të famshëm atje Ardian Bujupin, por ka një idhull në skenën shqiptare, që kur e ka parë për herë të parë, e ajo është këngëtarja Adelina Ismajli, ndërsa dëgjon shumë muzikë shqiptare dhe të huaj për të parë se cilat janë hitet të momentit. Ajo është shumë modeste për dukjen e saj kur e komplimentojnë, por është e sigurt se edhe dukja e ndihmon në një performancë një këngëtare. Tinës i mungon shumë Kosova, e megjithëse thotë që është lindur në Gjermani ajo të paktën 3 herë në vit është në origjinën e saj, dhe gjuhën shqipe e flet dhe e shkruan shumë mirë. Në prag të verës ajo ka në plan shumë projekte interesante dhe bashkëpunime të cilat i presim dhe duke ditur se kënga e saj me video është pritur shumë mirë padyshim që tashmë një emër i ri por i fortë i është shtuar tregut muzikor shqiptar e ky emër është Tina.