>
BIOSHQIP
Biografia
Denisa Gjezo u lind në Gjirokastër. Studimet i ka kryer në Universitetin e Arteve, në degën Kanto. Ka kënduar në Kala, në Festivalet Folklorike, por edhe në Festivalet e Fëmijëve apo aktivitete të tjera artistike që zhvilloheshin në qytet; kjo shpjegon marrëdhënien e veçantë që ka me muzikën e këtij qyteti. Megjithatë, ajo nuk i kthen shpinën asnjë skene me notat dhe tekstet e këngëve, të çdo treve apo gjuhe qofshin.

"Këto kohë po merrem me këngët e Shqipërisë së Mesme. Në fillim ishte pak e vështirë për mua, sepse nuk jam mësuar me atë muzikë, më është dashur ta studioj mirë, notë më notë, për të hyrë në brendësi dhe për ta interpretuar si duhet," thotë Denisa, e cila ndër të tjera, për shkak të studimeve, e ka mundësinë për të krijuar me muzikën një marrëdhënie të mbështetur jo vetëm në tërheqjen e fortë instinktive, por edhe në njohjen e thellë teorike.

Denisa nuk ndalet asnjëherë së punuari fort. Muzika nuk krahasohet me asnjë fushë tjetër për nga interesi dhe emocioni dhe asgjë nuk ia ka ndryshuar këtë pasion të fortë. "Edhe sot kur dal në skenë, kam të njëtën përlotje si atëherë kur isha fëmijë, por më pas nis të këndoj dhe arrij ta kontrolloj veten," është shprehur artistja. Denisa ka marrë pjesë shumë shpesh në Festivalet e Fëmijëve të Gjirokastrës, ku fitonte gjithmonë çmime të treta, siç tregon. Një herë, duke qenë që fituesja e atij viti mbushi 15 vjeç, këngën e saj në Festivalin e Shkodrës e interpretoi Denisa, ende 14 vjeç, duke pasur kështu edhe një kujtim nga Festivali Kombëtar i Fëmijëve. "Profesori im i parë i kantos, Xhelal Angoni, më ka ndihmuar shumë. Ai ka bërë këngët që merrja pjesë në festivale dhe ka qenë edhe profesori im në Lice", kujton ajo vitet e fillimit të karrierës në Gjirokastër.

Më pas, kur u vendos në Tiranë për studimet e larta, nisi të krijonte kontakte të reja, por ndërkohë ishte njohur me grupin e muzikantëve "Barabar," ku bënte pjesë edhe Besian Xhemnica, tashmë bashkëshorti i saj dhe babai i djalit të tyre. Siç tregon, kur e kishin telefonuar për një koncert në Sarandë, në kohën kur ajo ende në lice, bashkë me të motrën kishte nisur të këndonte në Gjirokastër, në të vetmin lokal me muzikë drejtpërdrejt. Me pak fjalë, edhe pse ishte shumë e njohur në qytetin e saj, ardhja në Tiranë nuk qe e lehtë, aq më tepër fillimet në një shkollë me konkurrencë të lartë siç është Akademia e Arteve. Megjithëkëtë, këngëtarja me zërin karakteristik, e mësuar tashmë me skenën, ia doli ta përfundonte me sukses. Studioi edhe frëngjisht gjatë viteve të Akademisë, për ta shtuar këtë gjuhë në repertorin e këngëve që interpreton me lehtësi, ku përfshihet dhe anglishtja dhe veçanërisht greqishtja, me të cilën qe familiarizuar që në qytetin e origjinës.

Gjatë këtyre viteve dhe më pas do të vinin edhe këngët e saj të festivaleve të njohura "Top Fest" dhe "Kënga Magjike", për të cilat ka bashkëpunuar me profesionistët më të talentuar të kësaj fushe: Shkëlqim Dule, Stine, Alban Male, Shpëtim Saraçi. Me Saraçin ka bashkëpunuar për disa këngë, "Rebus" në "Top Fest", Maksimum në Hit Fest dhe "Kurrë si më parë" te Kënga Magjike, një këngë me tekst nga Sokol Marsi, që Denisa e ka shumë për zemër. Sigurisht një dashuri të veçantë ajo ka dhe për këngën "Sa të dua moj Gjirokastër", që, edhe pse teksti është i Jorgo Papingjit dhe muzika e Valter Beqos, Denisës i buron nga zemra, e vërtetë, çdo fjalë e notë.

Më vonë ka realizuar edhe një tjetër këngë që i përket, sërish, zhanrit të muzikës qytetare popullore. "Po martojmë vajzën e vetme", e cila është shumë e përshtatshme edhe për dasmat ku ajo merr pjesë. "Mua më pëlqen shumë muzika shqiptare, muzika e vërtetë e tabanit", rrëfen ajo dhe i vjen keq që ndonjëherë, nga bastardimet, kjo muzikë konsiderohet si e dalë mode, apo u vret veshin dëgjuesve, ndërkohë që është e vetmja muzikë që është pjesë e popullit që i përket, në çdo kohë, ndërsa shumë të tjera i sjell e i merr era e viteve.

Gati dhjetë vjet më parë, Denisa ka realizuar edhe një album me muzikë popullore qytetare, me titullin "Jam labike e Labërisë", me kompozime të reja dhe disa këngë të njohura të trevave të Jugut. Ka qenë një bashkëpunim me Elrodin, për të cilin e ftoi Adi Hila, ndërsa shumicën e teksteve e ka krijuar e ëma, një nga ato gratë e rralla, e talentuar dhe energjike, që ka meritë të veçantë për mbështetjen e talentit të së bijës, një talent që e ka pasur edhe ajo, edhe pse me profesion është kuzhiniere.

Edhe pse shpesh, bashkë me Besianin, kthehen vonë nga dasmat apo netët live ku interpretojnë, Denisa nuk përton asnjëherë të nisë t’i përgatisë atij një pjatë të ngrohtë, duke të kujtuar rrëfimet për këngëtaren italiane Mia Martini, e cila, pasi ktheheshin nga koncertet, e mblidhte grupin e muzikantëve në shtëpinë e saj për t’u gatuar dhe, vetëm pasi kishin ngrënë mirë, largoheshin në shtëpitë e tyre. Ndërkaq, mund të ketë zbardhur dita e re në shtëpinë e Besianit dhe Denisës, pak orë gjumë dhe pastaj një tjetër ditë e angazhuar. Kështu janë javët dhe muajt e saj prej vitesh, tre stinë në Cavaliero dhe verës në dasma.

Edhe kur u bë nënë, nuk qëndroi as dy muaj në shtëpi me djalin, sepse angazhimet e thërrisnin. Majë takave, me fustane mbrëmjeje, edhe pse natyra e saj e vërtetë është sportive, ajo duhet të jetë gjithmonë në formën më të mirë për të kënduar me orë të tëra drejtpërdrejt. Megjithatë, edhe nëse këpucët e larta apo veshjet festive nuk janë gjithmonë në përputhje me natyrën e saj, në skenë ajo është plotësisht e sinqertë.

"Kjo është nga ato pak këngëtare që këndon edhe pa para," thonë të bindur bashkëpunëtorët e saj që e kanë njohur pasionin e Denisës. Kjo nuk do të thotë që ajo sakrifikon orë nga jeta e saj, lodhet, rri larg të birit, për të mos u shpërblyer, por tregon përmbledhtas pasionin e pakrahasueshëm dhe të rrallë që ka për të kënduarin. Ky pasion ka dalë gjithnjë mbi përllogaritjet dhe strategjitë që artistët apo menaxherët e tyre sot ndërmarrin për t’u promovuar. Denisa e di që duhet t’u kushtojë më shumë rëndësi rrjeteve sociale, që duhet të vrapojë për të gjetur bashkëpunëtorë për të marrë pjesë në festivale, që duhet të kujdeset për shpërndarjen e këngëve që ka interpretuar në studion e Së Diellës dhe Top Show-t, por kohë i ngelet pak. E megjithatë nuk trishtohet. Ajo nuk ka pasur kurrë për qëllim kryesor të bëhej shpejt e famshme. Dhe tani është shumë vonë për këtë. Ka 15 vite që këndon. Dhe megjithëse mund të mos jetë shumë e njohur, ajo e përjeton muzikën me intensitetin e një dive dhe çiltërsinë e një fëmije që i rrëmbushen gjithmonë sytë para se të dalë në skenë. Në rrugën e artit të vërtetë, fama vjen pas kësaj.
EVENTET
  • {{ evt.section_title }}
    {{ evt.feed_text }} {{ evt.custom_text }}

    📆  {{ evt.fancy_date }}