Biografia
Në vitin 2013 erdhi me këngën ‘Ghost’ të cilën e kishte në bashkëpunim me reperin KAS dhe që nga ajo kohë Dardan Jashari nuk ka sjellë ndonjë projekt të ri muzikor për shkak të studimeve. Mirëpo ditëve të fundit, Dardani është duke punuar në një projekt të ri muzikor, të cilin dëshiron ta lërë surprizë për simpatizuesit e tij.
Kënga është me një stil më ndryshe se këngët e mëparshme "Jam duke punuar për t'u rikthyer në muzikë, së shpejti do vij me një këngë të re solo, që do jetë me ndryshe së këngët e mëparshme" ka thënë Dardani. Ai po ashtu ka treguar se kësaj kënge ia ka bashkangjitur edhe videoklipin që është duke u xhiruar.
Pasi që projekti i fundit i tij ishte një bashkëpunim, tash për tash ai nuk mendon të vijë me asnjë këngë duet. I pyetur se në cilën gjuhë i pëlqen të këndojë, Dardani ka thënë se i pëlqen të këndojë në gjuhën angleze, por këndon edhe në gjuhën shqipe dhe se inspirim i tij është këngëtari Michael Jackson "Më pëlqen të këndoj shqip por më shumë preferoj gjuhën angleze pasi inspirim imi është Michael Jackson" ka shtuar këngëtari 25 vjeçar.
Dardani ka filluar të merret me studime, ai tani është duke studiuar në "Business Administration & Service Management" në Kopenhagë të Danimarkës, që është një universitet shumë i njohur në botën e biznesit. Po ashtu, ditëve të fundit ai do të realizojë edhe një set të fotografive. Dardani ka treguar që më herët është marrë edhe me sport ku për nëntë vjet ka luajtur futboll ndërsa pesë vjet ka luajtur basket, ndërsa kohëve të fundit po vrapon në natyrë.
"Me sport jam marrë kohë më parë por tani më shumë vrapoj në natyrë" ka thënë Dardani. Këngëtari ka folur edhe për jetën e tij private dhe ka thënë se ende është beqar dhe se martesa për të nuk paraqet asnjë "frikë", atij i mjafton vetëm të jetë i dashuruar. "Jo, nuk jam në lidhje kurse sa i përket martesës nuk kam fare frikë, mua më mjafton që të jem i dashuruar", ka shtuar Jashari. Ai madje thotë se dëshirë e tij është që te ketë dy apo tre fëmijë. "Mjafton që të kem dy a po tre fëmijë, më shumë nuk besoj", ka thënë Dardani.
Destinacioni i ëndrrave të tij ishte një udhëtim në Miami të Floridës dhe këtë ëndërr e ka realizuar para tre muajve, kurse tani është në kërkim të një aventure të re. "Ëndrra ime ishte që të udhëtoja për në Miami dhe para tre muajve isha atje me disa shokë dhe me të vërtetë ishte eksperiencë e shkëlqyeshme. Tani jam në kërkim të një ëndrre të re", ka thënë Dardani. Ndër të tjera, udhëtimi, muzika dhe arti do të kenë vend gjithmonë në jetën e tij.