(1872-1947)
Biografia
Asdreni lindi në fshatin Drenovë të Korçës më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme, dhe më vonë fakultetin e shkencave politike, të cilin nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të vazhduar studimet djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda. Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj. Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, po poeti i ri nuk ka gjetur ende individualitetin e vet, është nën ndikimin e Naimit. Në të njëjtën kohë Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904 botoi vëllimin me poezi "Rreze dielli" që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi dhe do të përshëndetet nga Çajupi me fjalët entuziaste; "Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti".
Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit "Ëndërra dhe lotë" ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.
Më 1914 Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin e tij të tretë me vjersha "Psallme murgu" të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta që nuk janë që nuk janë veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste, rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim "Këmbanat e Krujës".
Asdreni u bë i njohur si publiçist, por ishte edhe autor tekstesh shkollore e përkthyes. Po ai, para së gjithash, mbetet në letërsinë tonë si një poet i talentuar lirik.
LIRIKA ATDHETARE E SHOQËRORE
Në lirikën e vet poetike Asdreni u rikthehet të gjitha temave të poezisë së Rilindjes, po u jep një frymë më të hapur kushtruese. Jo më kot ai lëvron kryesisht llojet e himnit dhe të marrshit. Të njohura janë vjershat "Betimi mbi flamur" (1907) që pas vitit 1912 u bë dhe është Himni ynë Kombëtar, vjersha "Përpara", që dallohen nga një stil patetiko-oratorik, i cili shpreh një patos të zjarrtë të brendshëm. Vargjet e shumta dhe dinamike dhe njëkohësisht të thjeshta, kanë një forcë komunikuese të veçantë.