>
BIOSHQIP

Cute Babulja Rikthehen Me “Lule”

27-06-2014
Dhjetë vjet pas publikimit të albumit që konsiderohet si një nga arritjet e mëdha të rokenrollit shqiptar, Cute Babulja rikthehet me një këngë dhe videoklip të ri. Por, këtë herë, nuk janë vetëm Enes Bajramliqi dhe Genc Salihu ata që e përbëjnë këtë grup, por janë shtuar edhe tre anëtarë të tjerë, të gjithë mbi një dekadë më të rinj se anëtarët origjinalë. Këta janë Tomor Kuçi, Fatjon Miftaraj dhe Arbër Salihu. Kënga e re titullohet “Lule” dhe siç na njoftojnë anëtarët e grupit, është hapje ndaj horizonteve të reja muzikore. Një gjë e pazakontë në lidhje me këngën është se ajo zgjat 8:16 minuta dhe natyrisht, edhe klipi zgjat po kaq. Anëtarët e grupit thonë se kënga, nëpërmjet të veçorive minimaliste/repetitive që i ka, arrin që në secilin minutë nga 8 minutat e saj të jetë rrëmbyese dhe atraktive. Videoja është u punuar nga Kaltrina Krasniqi, e cila ka qenë pjesë kyçe e klipeve të vitit 2004, që ishin jashtëzakonisht të suksesshme dhe që i punoi po ashtu edhe klipet e Genc Salihut, anëtar i Cute Babulja. Promovimi i videoklipit dhe këngës do të bëhet të premten, 27 qershor, në kafe-librarinë Dit' e Nat', prej orës 20:00, ndërsa Cute Babulja paralajmëron edhe disa klipe të tjera në të ardhmen e afërt dhe një album të ri që pritet të dalë në gjysmën e parë të vitit 2015.
(Telegrafi)

Cute Babulja Rikthehen Me “Lule”